E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikonstruktohet Abdulla Keta, gati të presë nxënësit

Tiranë- Një tjetër shkollë tërësisht e rehabilituar është gati të presë të rinjtë e periferisë së kryeqytetit, këtë fillim-viti të ri mësimor. Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e gjimnazit “Abdulla Keta”, realizuar falë një kredie prej 512 855Euro nga Banka e Këshillit të Europës (CEB).

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama i pranishëm në inagurimin e përfundimit të punimeve i ka cilësuar shkollat e reja, tempuj të dijes dhe njëkohësisht hapësira të bashkëjetesës për të rinjtë deri në këto komunitete periferike si këtu në Shkozë.

“Falë këtyre investimeve ata fitojnë mundësinë dhe të drejtën legjitime për t’u shkolluar, për t’u edukuar, për t’u mirërritur si në çdo vend tjetër të Europës. Unë jam i lumtur që ky projekt që po realizohet shkallë-shkallë, po e transformon tërësisht infrastrukturën parauniversitare të kryeqytetit dhe njëkohësisht jam i bindur se plotësimi i të gjithë elementeve të kësaj infrastrukture, duke përfshirë të gjitha palestrat, dhe terrenet sportive do t’u japë mundësi këtyre fëmijëve, këtyre të rejave dhe të rinjve që të plotësojnë ato nevoja që deri dje ishin të paplotësuara për ata që i kaluan klasat e shkollës 9-vjeçare apo të shkollës së mesme, pa patur mundësinë të gëzojnë këto kushte që ne po krijojmë sot dita-ditës”- tha Rama .

Në mënyrë që procesi mësimor dhe edukativ të kryhet në kushtet më të mira fizike, puna u përqëndrua në një model bashkëkohor projektimi. Kësisoj, para rikonstruksionit, shkolla kishte vetëm 6 klasa të thjeshta dhe 2 laboratorë, ndërsa tani, pas ndërhyrjes, në dispozicion të nxënësve janë 16 klasa mësimore ndër të cilat dhe 3 laboratorë. Gjithashtu për ta është gati një palestër 270 m2 dhe 50 m2 mjedise ndihmëse, zyra e senatit si dhe laboratorët kompjuterikë.

Hyrja e shkollës është vendosur në pjesën veri-lindore të objektit dhe është pasuruar me elementë arkitektonikë, duke i dhënë një akses të drejtpërdrejtë hollit të saj.

Të gjitha klasat, zyrat, kabinetet dhe laboratorët kanë një vendosje funksionale për nxënësit.Kjo mendohet të sjellë lehtësim në zhvillimin e mësimit si dhe në qarkullimin e tyre. Edhe kjo shkollë është ndërtuar në përshtatje me nevojat e nxënësve me aftësi të kufizuar, duke u krijuar atyre lehtësira nëpërmjet vendosjes së rampave.

Si të gjitha shkollat e përfshira në këtë projekt ambicioz të Bashkisë së Tiranës, për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në kryeqytet, pajisja dhe mobilimi i të gjitha mjediseve te brendshme sipas standarteve bashkëkohore është pjesë përfshirëse në procesin e rehabilitimit.

Qëllimi kryesor mbetet krijimi i kushteve cilësore në veprimtarinë shkollore duke plotësuar e respektuar standartet europiane. Për këtë janë kompletuar kabinetet e gjuhëve të huaja, laboratorët kimikë e fizikë, biblioteka, mjediset ndihmëse sportive, asistenca mjeksore ku nxënësit do të kenë mundësi këshillimi dhe trajtimi shëndetësor si dhe sistemimi i mjediseve të jashtme me gjelbërim dhe trotuare.

Gjimnazi “Abdulla Keta”, ndodhet në rrugën Ali Demi, e cila shtrihet në skajin verilindor të kryeqytetit dhe përfshihet në territorin e Njësisë Bashkiake Nr.1.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›