Furnitor i heroinës, pranga gardianit të Rrogozhinës
DURRES/ OERD ULQINI
“Dozat e heroinës m’i dha polici i burgut të Rrogozhinës”. Rrëfimi i 39-vjeçarit, Besnik Tarko, i arrestuar nga blutë e Durrësit për shitje heroine, ka çuar në pranga gardianin Arif Konja. Të dy personave u janë vënë prangat në qytetin bregdetar, në kuadër të operacionit të koduar “Pastiçieri”, i cili deri më tani numëron pesë të arrestuar për trafik heroine. Besnik Tarko nga fshati Gradishtë i Lushnjes, banonte prej disa vitesh në lagjen 7 të Durrësit. Prej disa muajsh ai ishte i survejuar nga agjentët e antidrogës, derisa mesnatën e së premtes ai u kap në flagrancë me 16 gramë heroinë. Droga e kuqe ishte e dozuar në sasi të vogla, e gatshme për shpërndarje në atë orë të vonë të natës në sheshin përballë Pallatit të Sportit të Durrësit. Por me t’u marrë në pyetje nga hetuesit e antidrogës, ai ka nisur të bashkëpunojë me drejtësinë. Agjentët janë shtangur kur Tarko është shprehur se “Drogën ma ka dhënë Arifi”. Me t’u ballafaquar mirë me dëshminë e të arrestuarit nga Lushnja, ka nisur operacioni për kapjen e gardianit të burgut të Rrogozhinës. Ai është arrestuar në Durrës, teksa ishte i veshur civil dhe pa armë. Polici i burgut nuk ka bërë asnjë lloj rezistence, kur homologët e rendit i bënë të ditur arrestimin. Ai është futur i qetë në furgonin e tyre, duke respektuar pushtetin e uniformës. Me këtë arrestim shkon në pesë numri i personave që janë vënë në dispozicion të hetimit për “Pastiçierin”. Ata janë Taulant Harizaj nga Kavaja, Ismail Jakupi dhe Saimir Zotka, që të dy nga Durrësi, Besnik Tarko nga Lushnja dhe Arif Konja nga Rrogozhina. Burime nga policia e qytetit bregdetar bëjnë me dije se gardiani nuk e ka mohuar faktin se ka furnizuar Besnikun me sasi të vogla heroine. Bilanci i parë i “Pastiçierit” shënon sekuestrimin e 75 gramëve heroinë, 5 fishekëve model 54, një arme të ftohtë, pesë aparateve celularë dhe 300 mijë lekëve. Ndërkohë që me arrestimin e gardianit nga Rrogozhina, dhe lushnjarit me banim në Durrës, ky bilanc pasurohet edhe me 16 gramë heroinë. Por nëse policia ka bindjen se furnizuesi i Besnik Tarkos ishte gardiani i burgut, ende nuk është zbuluar se kush ka qenë personi që ka çuar tek Harizaj, Jakupi dhe Zotka sasinë prej 75 gramësh heroinë. Policia ka bindjen se persona të tjerë janë të implikuar në rrjetin e shpërndarësve që e furnizonin Durrësin e orëve të vona me drogën e kuqe. Ata pritet të zbulohen pas marrjes në pyetje të të ndaluarve të fundit, më kryesori punonjësi i policisë së burgut.