“Furnizim 24 orë me ujë dhe rrjet të përmirësuar kanalizimesh”
Takim me banorë të Komunës së Parisit
Furnizim 24 orë me ujë, rrjet të përmirësuar të kanalizimeve, dhe sistem modern të trajtimit të ujërave të ndotura, parashikon Lulzim Basha në platformën e tij.
Në një takim me banorë të Komunës së Parisit, të cilët e vuajnë më së shumti mungesën e kanalizimeve, Basha tha se një nga vendimet kryesore si kryetar bashkie, do të jete marrja në administrim e Ujësjellës- Kanalizimeve të Tiranës.
“Në qoftë se sot jemi të vendosur ta kthejmë punësimin dhe çmimet në problemin kryesor të Bashkisë sepse janë problem kryesore të qytetarëve është e vetëkuptueshme që problem kryesor i Ujësjellës-Kanalizimeve do të jetë përgjegjësi kryesore, kardinale e përditshme e bashkisë së Tiranës. Kjo përgjegjësi do të nisë me transferimin e kompetencave tek Bashkia e ujësjellës kanalizimet dhe pastaj me ndërhyrje emergjente si dhe me ndërhyrjen e madhe të planifikuar në të gjithë Tiranën në mënyrë që ti japim fund sa më shpejt kohës kur qytetarët e Tiranës flasin akoma për ujin dhe kanalizimet si problemet e tyre të përditshme”, tha Basha.
Normalizimi i çmimeve në Tiranë, është një tjetër prioritet i Lulzim Bashës.
Në funksion të kësaj, Basha është i vendosur të krijojë lehtësira fiskale për bizneset e Tiranës. Në një takim me shoqatën e agrobiznesit, Basha paraqiti platformën e tij, e cila parashikon krahas uljes së taksave edhe ngritjen e tregjeve me kushte optimale ndërtimi, një qendër panairesh, licencim dhe ndërtim të thertoreve, etj.
“Bashkia do t’ju ndihmojë, unë do t’ju ndihmoj, do të thjeshtojë taksat do ti ul ato që mbeten, do t’i kthej shumë më shumë para të cilat sot nuk dihen se ku përfundojnë. Jo vetëm kaq do t’u ofroj shërbime që ju mos të harxhoni para ekstra për aktivitetet tuaja. Dhe kërkoj që kjo të reflektohet në normalizimin e çmimeve në qytetin tonë sepse kjo i shërben interesat e qytetarëve. Thertorja do të jetë një realitet i licencuar brenda dy muajve të parë, do jepet me koncesion në mënyrë të organizuar industrisë së mishit. Jam i vendosur që të përparësoj projektin e ndërtimit të një qendre panairesh dhe konventash në bashkëpunim me sektorët privat. E vërteta është që ka tre vite që e kërkon këtë interes, por është një interes që ka rënë në vesh të shurdhër. Ne do investojmë në bashkëpunim me bizneset për të përmirësuar infrastrukturën në tregje”, tha Basha.
Duke qenë se shumë biznese shtrihen përgjatë segmentit Tiranë-Vorë dhe shumica e punonjësve janë qytetarë të Tiranës, Basha parashikon krijimin e një linje urbane Tiranë-Vorë e cila do të krijojë kushte të përshtatshme për punonjësit, dhe do të ndihmojë bizneset.