E Diel, 1 Nëntor 2026

Furnizimi i dobët i energjisë, Konfindustria kërkesë Kuvendit

Biznesi ka shprehur sërish shqetësimin për furnizimin me energji elektrike, duke i kërkuar Kuvendit të Shqipërisë që të shqyrtojë këtë problem.
Konfederata e Industrisë, ku bashkohen shumica e bizneseve në vend, i ka kërkuar zyrtarisht Kryetarë ve të Grupeve Parlamentare të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste si dhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, të shqyrtojë gjendjen e vështirë të cilësisë së furnizimit me energji elektrike të bizneseve dhe qytetarëve nga CEZ Shpërndarje si dhe njëkohësisht të kërkojë dhe të mbështesë Entin Rregullator të Energjisë, në përmirësimin e domosdoshëm dhe sa më të shpejtë të Kontratave të Furnizimit me Energji Elektrike.

“Kuvendi i Shqipërisë duhet të ndërhyj menjëherë dhe pa dallim ngjyrash partiake në sektorin e shpërndarjes së energjisë elektrike, sepse ekonomia kombëtare po ndjen gjithnjë e më shumë pasojat e dëmshme të ardhura nga furnizimi me cilësi tepër të dobët të energjisë elektrike të CEZ Shpërndarje për industritë, bizneset dhe qytetarët”, thuhet në reagim.

Më tej, Konfindustria sqaron se furnizimi me energji elektrike është krejtësisht jashtë standardeve të cilësisë jo vetëm të vendeve të Bashkimit Evropian, por edhe të rajonit duke ndikuar ndjeshëm në kostot e prodhimit dhe shërbimeve, uljen e konkurrencës të industrive shqiptare, pengimin e investimeve të huaja dhe të vendit, etj.

Ky institucion rikujton se në bazë të përllogaritjeve, problemet me energjinë i kanë shkaktuar biznesit gjatë këtij viti 23 milion euro dëme. Konfindustria i kërkon Kuvendit të Shqipërisë të ndërhyje sa më shpejt për të nxitur dhe njëkohësisht mbështetur ERE-n për përmirësimin e Kontratave së Furnizimit me Energji Elektrike të CEZ Shpërndarje, sipas standardeve të vendeve të BE.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›