E Shtunë, 31 Tetor 2026

Furnizonin me hashash komandot e Zall-Herrit

Antidroga vë në pranga dy të rinj, të cilët dyshohet se shisnin lëndë narkotike për ushtarët e tjerë të repartit të Zall-Herrit

TIRANË - Përdorues hashashi dhe furnitorë për ushtarët e tjerë të repartit të Zall-Herrit ishin deri dje dy të rinjtë e arrestuar për “prodhim dhe shitje narkotikësh”. Agjentët e Seksionit të Luftës Kundër Drogës kanë kapur në flagrancë Mentor Gjurën, 23 vjeç, lindur dhe banues në Shën-Koll të Lezhës, dhe 21-vjeçarin Indrit Plaku, lindur dhe banues në Cërrik të Elbasanit. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Tiranës, mësohet se dy të vënët në pranga ishin ushtarë në repartin nr. 1200 në Zall-Herr. Shkak për arrestimin e tyre u bë një aksion policor i realizuar rreth orës 09.00 të ditës së djeshme. Burime të besueshme policore bënë të ditur për “Korrierin”, se pas disa informacioneve që në këtë repart shpërndahej dhe përdorej hashash, ka nisur puna për verifikim. Gjatë kësaj pune ka rezultuar se Plaku dhe Gjura furnizonin dhe ishin edhe vetë përdorues të rregullt të hashashit. Gjatë kontrollit atyre iu gjetën dy qese me lëndë narkotike. Ndërkohë që gjatë marrjes në pyetje Plaku ka hequr përgjegjësinë nga vetja, duke deklaruar se hashashin e blinte tek Gjura, duke mbajtur vetëm përgjegjësinë për përdorim hashashi dhe jo shitje. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 13 gramë hashash dhe një telefon celular. Ndërkohë që ditën e djeshme, agjentët e Antidrogës arrestuan edhe 23-vjeçarin Andi Kotorri, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë. Gjatë një kontrolli të imtësishëm personal, atij iu gjetën 3.5 gramë hashash. Kotorri do të gjykohet për konsumim të veprës penale të “mbajtjes dhe shitjes së lëndëve narkotike”. E.Elezi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›