E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediut ti hiqet imuniteti

Kuvendi argumenton përfshirjen e strukturave ushtarake

Deputetët Besnik Dervishi i Partia Socialiste dhe Arian Madhi nga Partia Republikane punuan për ndërtimin e raportit të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve të Kuvendit në përgjigje të kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Organi i akuzës kërkon ta ndjekë penalisht ish-ministrin e Mbrojtjes, Mediu, pasi mbështetur mbi shqyrtimin e dokumentacionit dhe dëshmive të zyrtarëve, ai është përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit.

Raporti i Këshillit të Imunitetit përfundoi për çështjen “Mediu” dhe pritet që ky raport t’u shpërndahet që sot deputetëve. Mazhoranca dhe opozita tashmë e kanë marrë edhe vendimin përfundimtar për të autorizuar prokurorinë për nisjen e procesit penal ndaj deputetit dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediut. Tashmë ka mbetur vetëm vota e deputetëve në seancë plenare dhe prokuroria mund të nisë procesin e hetimit ndaj ish-ministrit Mediu. Një ndër pikat e raportit është edhe hedhja poshtë e akuzës së prokurorisë për shmangien e strukturave ushtarake nga procesi i demontimit, ndërsa argumentohet gjithashtu, se vetë Forcat e Armatosura ishin të përfshira në proces. Në raport mësohet se janë përfshirë edhe dokumentet e ardhura dy net më parë nga Prokuroria e Përgjithshme, ku mes mijëra faqesh janë përzgjedhur dokumentet që vërtetonin përfshirjen e strukturave ushtarake në proces. Anëtari republikan i Këshillit të Imunitetit, Arian Madhi, thotë se në dosjet e dërguara dy net më parë nga Prokuroria e Përgjithshme, tre volume përmbanin raportet konfidenciale të strukturave ushtarake, të cilat raportonin për çdo detaj të ditës për ndodhitë ditore, ku më së shumti ishin dokumente të pavlera për çështjen. Madhi thotë se mes materialeve të ardhura, ka përzgjedhur ato që janë cilësuar si të nevojshëm për çështjen dhe janë përdorur për të argumentuar se strukturat ushtarake ishin të përfshira në proces dhe nuk ishin anashkaluar. Mes dokumenteve të shumta të ardhura nga prokuroria dy net më parë, janë përzgjedhur komunikatat ditore për transportin e municioneve në Gërdec, që do të thotë se Forcat e Armatosura kishin dijeni për atë që ndodhte në Gërdec dhe nuk ishin anashkaluar, sikurse pretendon prokuroria. Në këtë pikë, duket se ka pasur kundërshtime nga ana e relatorit Besnik Dervishi, i cili ka kundërshtuar hartimin e një raporti të gjatë me dokumente të shumta, sikurse ishte kërkuar nga anëtari republikan. Mësohet se relatori i opozitës i ka pasqyruar kundërshtimet e tij për këtë çështje në relacionin përkatës. Të dy relatorët, të kontaktuar nga “Korrieri” shprehen se, pavarësisht se këndvështrimet janë të ndryshme, ajo për të cilën është rënë dakord është heqja e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediut. Ditën e hënë pritet që raporti i Këshillit të Imunitetit të paraqitet në seancë plenare, ku do të votohet për heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›