E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja pushimet e VIP-ave

Pushime luksi, por shpesh të kushtëzuara edhe nga puna! Vetëm kështu mund të përkufizohen ditët nën rrezet e diellit për personazhet e njohur VIP. Të kredhur në valët e detit, në plazhe turistike të paeksploruara më parë, të fokusuar më tepër brenda Shqipërisë, këto janë edhe për këtë vit zgjedhja e disa prej këngëtarëve, prezantuesve e stilistëve me emër në vendin tonë

Nuk ndodh kurrë që ajo të sakrifikojë emisionin e saj për disa ditë pushime! Edhe pas një viti të ngjeshur me punë dhe me orare të tejzgjatura, Aida Shtino, prezantuesja dhe koordinatorja e emisionit të suksesshëm “Njerëz të humbur” në “Vizion Plus”, përpiqet të gjejë një të mesme të përbashkët mes kënaqësisë dhe punës. “Duke qenë se emisioni mbyllet nga fundi i muajit korrik dhe unë duhet të pushoj fare pak ditë, për t’u rikthyer sërish në krye të detyrës, mundohem që, sipas mundësisë, t’i kushtoj vetes dhe familjes sime të paktën 10 ditë pushime në plazh. Sivjet kam planifikuar që të shkoj në Turqi, pasi nga eksperienca e vjetshme atje kam mbetur e kënaqur. Shpresoj që pas kthimit prej andej, të pushoj edhe disa ditë në rivierën e bukur shqiptare, në mënyrë që me shpenzimet tona monetare të kontribuojmë sadopak edhe në turizmin e vendit tonë”, pohon Aida. Goxha e përqendruar me punën duket edhe Eralda Hitaj. Fituesja e kurorës së “Miss Universe Albania 2006” tanimë është pozicionuar në rolin e prezantueses së një emisioni rinor, që i merr një pjesë të mirë të kohës. Për këtë arsye, ajo ende nuk ka planifikuar pushime konkrete, por është e bindur se gjatë fundjavave do të udhëtojë shpesh drejt Vlorës e Sarandës. “Zakonisht preferoj pushimet brenda vendit, por kjo nuk do të thotë që nuk shkoj dhe jashtë. Këtë vit më duhet të pohoj se do të privohem paksa, për shkak të punës, por besoj se me shoqërinë e familjen do të organizohem gjatë fundjavave, për të bërë dy ditë plazh në zonën e jugut”, thotë për gazetën “Korrieri” 21-vjeçarja Hitaj. Po kaq e angazhuar me emisionin e saj të ri “Konak” është edhe Kozeta Kurti. Por duke mos iu ndarë asnjëherë pasionit të saj të madh për muzikën rrok, këtë vit pushimet verore ka menduar që t’i realizojë në mënyrën më të bukur të mundshme. “Mendoj se do të jem shumë gjatë në emision, pasi menjëherë pas përfundimit të “Konakut”, ditët e fundit të korrikut, do të jem duke përgatitur një tjetër program sezonal, që do të thotë se nuk do të kem shumë kohë për pushime të gjata, por diçka do të bëj edhe unë. Do të shfrytëzoj koncertin e “Metallica”-ve në Turqi, i cili mbahet në datë 27 korrik dhe do të rri disa ditë më tepër para dhe pas koncertit. Gjithashtu edhe koncertin e Lenny Cravitz në Ohër më datë 3 gusht, do ta shfrytëzoj duke ndenjur pak më shumë se dita e koncertit. Pastaj do të shfrytëzoj ndonjë fundjavë të mundshme, kur të më jepet mundësia, sigurisht këtu brenda vendit, në bregdetin tonë të jugut, si dhe ndonjë fshat malor si Dardha e Korçës, ku kam shkuar sistematikisht dy vitet e fundit”, shton ajo. Edhe stilistja e njohur Rezarta Skifteri, mendon se pushimet verore nuk do t’i ndërronte me asgjë në botë. Sivjet ajo është e ndarë mes dëshirës së bashkëshortit për të kaluar disa ditë në Paris dhe të sajës për të pushuar në Itali. “Mendoj se mundësia më e madhe sivjet është që të shkojmë më larg se Ballkani, ndaj Parisi besoj se do të jetë destinacioni ynë. Por prej disa vitesh më është kthyer në mani që të kaloj gati 10 ditë në Pogradec dhe të njëjtën gjë do të bëjmë edhe këtë vit”, përfundon Skifteri, duke shpresuar se pushime të mira mund të bëhen edhe brenda Shqipërisë, në ndryshim nga mania e theksuar e shumë personazheve VIP, që me çdo kusht duan të largohen nga vendi, sidomos kur bëhet fjalë për pushime verore.

“Do të shfrytëzoj koncertin e “Metallica”-ve në Turqi, i cili mbahet në datë 27 korrik dhe do të rri disa ditë më tepër para dhe pas koncertit. Gjithashtu edhe koncertin e Lenny Cravitz në Ohër më datë 3 gusht, do ta shfrytëzoj duke ndenjur më shumë se dita e koncertit. Pastaj do të shfrytëzoj ndonjë fundjavë të mundshme, kur të më jepet mundësia, sigurisht këtu brenda vendit, në bregdetin tonë të jugut, si dhe ndonjë fshat malor si Dardha e Korçës, ku kam shkuar sistematikisht dy vitet e fundit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›