E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plumba në nofull peshkatarit shkodran

57-vjeçari Hysen Skënderaj po peshkonte në ujërat territoriale të Shqipërisë. Më thanë hajde këtu se ka më shumë peshk, por unë nuk shkova, pohon ai. Malazezët pretendojnë të kundërtën

SHKODËR - Një ngjarje e pazakontë dhe e paprecedentë u shënua dje në kufirin shqiptaro-malazez në lumin e Bunës, ku efektivë të policisë malazeze pasi e provokuan, qëlluan pa shkak me armë një peshkatar 57-vjeçar, i cili ndodhej në ujërat territoriale të vendit tonë. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 15:30 të ditës së djeshme, teksa Hysen Skënderaj, 57 vjeç, banues në fshatin Luarëz të komunës Velipojë, u qëllua me armë zjarri në nofull. Sipas dëshmisë së 57-vjeçarit Skënderaj, në përputhje edhe me hetimet paraprake të policisë së Shkodrës, mësohet se autorët e plagosjes së peshkatarit janë dy efektivë të Policisë Kufitare fqinje të Malit të Zi.

Ngjarja

Skënderaj kishte dalë për peshkim me një lundër të tijën dhe po lëshonte rrjetat në ujë, në pjesën shqiptare të kufirit ujor në lumin e Bunës. Në këtë kohë, dy policë malazezë, sipas Skënderajt, njëri me uniformë policie, ndërsa tjetri me uniformë ushtrie, iu afruan peshkatarit në breg të lumit dhe i thanë në gjuhën malazeze” “Eja këtej, këtu ka peshk”. Peshkatari, i cili thotë se e kishte parandier rrezikun, e refuzoi ftesën e fqinjëve malazezë, duke vazhduar punën e tij. Mesa duket ky ka qenë shkaku që dy policët u acaruan, e më pas qëlluan me automatik në drejtim të 57-vjeçarit, të cilin e prekën plumbat në nofull. I ndodhur në një situatë të tillë, Skënderaj u largua me shpejtësi me barkën e tij të peshkimit, për të shpëtuar nga plumbat e tjerë në drejtim të tij. Ai eci me barkë për afro një orë nga vendi i ngjarjes, por vetëm në orën 17:00 mundi të dalë në breg. Tejet i frikësuar nga rrjedhja e gjakut, peshkatari 57-vjeçar shpejtoi në këmbë që të arrinte në shtëpinë e tij në fshatin Luarëz, që ndodhet jo shumë larg vendit ku ndodhi incidenti. Pasi mbërriti në shtëpi, ai u nis me shpejtësi drejt spitalit rajonal të Shkodrës, ku mori ndihmën e parë mjekësore dhe, siç mësohet, është jashtë rrezikut për jetën.

 “Po, e goditëm, shkeli në ujërat tona”

Policia e qarkut të Shkodrës përmes një komunikate për shtyp, sqaron se po punohet intensivisht për sqarimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe se materialet përkatëse i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit për veprën penale të “vrasjes me dashje, e mbetur në tentativë”. Gjithashtu, është mësuar se pala shqiptare ka kërkuar informacion nga pala malazeze në lidhje me këtë ngjarje të pazakontë mes dy vendeve fqinjë. Nga ana e tyre, zyrtarët malazezë e kanë pranuar incidentin, por sipas tyre, Skënderaj kishte shkelur në ujërat e tyre territoriale dhe po gjuante me dinamit. Malazezët pranuan faktin se policët e tyre kanë goditur me armë tip automatik, madje janë gjetur edhe gëzhojat. Të dyja prokuroritë përkatëse kanë nisur hetimet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›