E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sdua të gjykoj dosjen Haklaj

Fatmira Hajdari, gjyqtarja në Gjykatën e Tiranës, heq dorë nga gjykimi i procesit të vëllait të njërit prej të akuzuarve si vrasës të bashkëshortit të saj

TIRANË - Një ditë pasi u përzgjodh nga shorti elektronik si gjyqtarja që do të gjykonte të pandehurin Hamdi Haklaj, Fatmira Hajdari tha për “Korrierin”, se heq dorë nga kjo çështje, duke i hapur rrugë rihedhjes në short. Papajtueshmëria ligjore që ekziston në këtë rast, pasi vëllai i Hamdi Haklajt është akuzuar dhe dënuar si një nga autorët kryesorë të vrasjes së Azem Hajdarit, detyroi gjyqtaren që të heqë dorë nga kjo çështje. Kërkesa për heqjen dorë nga çështja që bashkëshortja e të ndjerit Azem Hajdari ka depozituar në sekretarinë e kryetarit, është bërë menjëherë pasi në tavolinën e saj të punës mbërriti dosja hetimore në ngarkim të Hamdi Haklajt. Për të respektuar afatet kohore, Hajdari priti ditën e djeshme kur dosja u transferua në zyrën e saj, për të bërë kërkesën e dorëheqjes nga çështja, të cilën një ditë më parë ia kishte bërë “peshqesh” shorti elektronik. Kërkesa e dorëheqjes konfirmohet edhe nga burime pranë Gjykatës së Tiranës, të cilat thanë se Fatmira Hajdari i ka paraqitur kreut të kësaj gjykate dorëheqjen nga çështja me të pandehur Hamdi Haklajn, i cili aktualisht është duke u gjykuar në një tjetër proces për akuzën e vrasjes. Mësohet se kërkesa e gjyqtares është bërë konform Kodit të Procedurës Penale, neni 17 i të cilit parashikon dhe rastet kur gjyqtari mund të heqë dorë nga gjykimi i një çështjeje. Sipas burimeve nga gjykata, bëhet me dije se kreu i këtij institucioni pasi të njihet me kërkesën e gjyqtares Hajdari, do të rihedhë në short dosjen hetimore ndaj 70-vjeçarit Hamdi Haklaj, i cili aktualisht ndodhet në Suedi me statusin e azilantit politik. Megjithëse dosja hetimore ndaj të fundmit të Haklajve ka mbërritur në Gjykatën e Tiranës rreth tri javë më parë, ende nuk është përcaktuar gjyqtari që do të ketë në dorë fatin e tij. Fillimisht, për gjykimin e kësaj çështjeje, shorti elektronik përzgjodhi gjyqtarin Kreshnik Omari, i cili sapo mori në dorë dosjen, dha dorëheqjen. Për herë të dytë shorti përzgjodhi Fatmira Hajdarin, e cila gjithashtu dha dorëheqjen, pasi Fatmir Haklaj, vëllai i Hamdiut, akuzohet si vrasësi i të ndjerit Azem Hajdari. Dosja “Haklaj” tashmë është në pritje të një tjetër shorti elektronik, nga ku do të përzgjidhet gjyqtari që do të nisë procesin e dytë gjyqësor ndaj 70-vjeçarit, i cili këtë radhë akuzohet për një tjetër vrasje. Sipas organeve hetimore të Bajram Currit, rezulton se Hamdi Haklaj është autori i dyshuar i vrasjes së Halil Hoxhës, ngjarje kjo e ndodhur në shkurt të vitit 1998 në Tropojë. Edhe pse mes fiseve Haklaj dhe Hoxha numërohen shumë të vrarë, dosja hetimore mbi ekzekutimin e Halil Hoxhës u rihap vetëm vitin e kaluar, pasi hetimet e saj e kësaj dosjeje ishin pezulluar për mungesë provash dhe autorësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›