Furtunë në polici, Burgaj transferon 18 drejtorë
Etleva Delia
Pak ditë pas paralajmërimit të ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha për reformë në strukturat e policisë, drejtori i Përgjithshëm, Hysni Burgaj, ka firmosur dje 18 emërime të reja. Ata që lëvizin janë drejtorë dhe zv.drejtorë qarqesh në të gjithë vendin. Pothuajse të gjithë drejtuesit më të lartë të policisë në qarqe kanë këmbyer vendet dhe sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, "reforma" është ndërmarrë me qëllim përmirësimin e punës. Vendi që Hysni Burgaj la vakant disa ditë më parë, kur u emërua nga kryeministri në vend të Ahmet Prençit, si drejtor i Përgjithshëm, është zëvendësuar nga Rasim Borishi. Ky i fundit që deri dje ishte kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme, tashmë do të drejtojë Departamentin e Shërbimeve Mbështetëse. Në vendin e Rasim Borishit në Departamentin e Sigurisë Publike është emëruar Hamdi Fjora, i cili ka marrë dje detyrën e zv.drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Fjora disa kohë më parë u komandua drejtor i Policisë së kryeqytetit, ndërsa prej disa muajsh drejtonte Forcat Lëvizëse Operacionale. Vendin e Fjorës, në krye të FLO-së, e ka zënë Shemsi Prençi, drejtori i Policisë së Fierit. Drejtori i Qendrës së Formimit Policor, Muhamet Rrumbullaku është emëruar në krye të Drejtorisë së Rendit dhe Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit. Në vend të tij është emëruar drejtuesi i parë Nazmi Kotarja, i cili deri dje ishte në detyrën e marrë nga Met Rrumbullaku. Edhe Edmond Rizai, që deri para largimit të Ahmet Prençit ishte këshilltar i tij, tashmë do të drejtojë Drejtorinë e Krimit të Organizuar. Ai ka shkëmbyer pozicionin me Arjan Muçën, i cili tashmë do të jetë këshilltar i Drejtorit të Përgjithshëm, Hysni Burgaj. Në njoftimin për shtyp të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë thuhet se veç ndryshimeve në qendër, lëvizje janë kryer edhe në drejtoritë e policisë në qarqe. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka vendosur largimin nga drejtimi i policisë së Vlorës për Vehbi Bushatin, i cili nuk është emëruar në detyrë tjetër.
NDRYSHIMET NE POLICI
1. Hamdi Fjora, Zv/Drejtor i Përgjithshëm për Sigurinë Publike.
2. Rasim Borishi, Zv/Drejtor për Shërbimet Mbështetëse.
3. Muhamet Rrumbullaku, Drejtor i Rendit e Sigurisë Publike.
4. Nazmi Kotarja, Drejtor i Qendrës së Formimit Policor.
5. Ali Elezi, Drejtor i Drejtorisë së Policisë Kukës.
6. Muharrem Furriku, Drejtor i Policisë së Lezhës.
7. Mërgim Hoxha, Drejtor i Policisë së Fierit.
8. Shemsi Premçi, Drejtor i Forcave Lëvizëse Operacionale.
9. Aleks Hajdari, Drejtor i Policisë së Durrësit.
10. Saimir Muça, Drejtor i Policisë së Elbasanit.
11. Altin Qato, Drejtor i Policisë së Beratit.
12. Bernard Çaushi, Drejtor i Policisë së Korçës.
13. Emri Vata, Drejtor i Policisë së Gjirokastrës.
14. Ilia Nasi, Drejtor i Policisë së Dibrës.
15. Edmond Rizai, Drejtor i Krimit të Organizuar.
16. Arjan Muça, Këshilltar i Drejtorit të Përgjithshëm.
17. Arben Hyseni, largohet nga detyra në Gjirokastër.
18. Vehbi Bushati, largohet nga detyra në Vlorë.