E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hajduti 12 vjeç vjedh shtëpinë e oficerit

 

TIRANE- Superhajduti 12-vjeçar, Markelian Cungu, nuk është çudi që ndonjë ditë të rrezikojë të vjedhë edhe shtëpinë e Presidentit Bamir Topi. Vjedhjen e fundit ai e ka realizuar shumë pranë rezidencës së tij, në banesën e fqinjit të Topit, 50-vjeçarit Mehmet L., me detyrë ushtarak. Hajduti 12-vjeçar nuk ka ngurruar që të futet në shtëpinë e tij në rrugën "Dalip Topi" në Tiranë dhe përveç 30 mijë lekëve i ka vjedhur edhe armën e shërbimit, një pistoletë tip "Makarov". Burime nga policia e kryeqytetit thanë se i mituri, ende pa mbushur 10 orë prej largimit nga ambientet e Komisariatit nr. 4, pasi ishte shoqëruar për një vjedhje, ai është rikthyer sërish për një tjetër vjedhje. Kësaj here "shënjestër" e tij ishte një punonjës i Ministrisë së Mbrojtjes, të cilit Markeliani i kishte hyrë në banesë ku i vodhi atij pistoletën e shërbimit. Gjithçka ndodhi në orët e para të ditës së djeshme në rrugën "Dalip Topi", lagjja Qesarakë në Tiranë, kur i mituri ka hyrë në banesën e 50-vjeçarit Mehmet L. Në bazë të dëshmisë së këtij të fundit, autori ka vjedhur në banesën e tij 30 mijë lekë të vjetra dhe pistoletën e tij "Makarov". Policia u vu menjëherë në lëvizje për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit. Ai është identifikuar shumë shpejt, ka kaluar edhe disa orë të tjera në Komisariatin nr. 4 për t'u lënë sërish i lirë për shkak të moshës së mitur, ashtu sikurse edhe herët e tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›