E Diel, 1 Nëntor 2026

Në pranga një vajzë e një burrë, për vjedhje në tre qytete



TIRANË - Bien në prangat e policisë së kryeqytetit dy persona që në bashkëpunim me një të tretë kanë kryer një sërë vjedhjesh në Tiranë, Durrës e Fier. Policia e Tiranës raporton se 27-vjeçarja Eralda Hasanaj dhe 42-vjeçari Ahmet Bellahu të dy banues në Tiranë, u arrestuan në flagrancë nga oficerët e komisariatit të policisë Nr. 2 në kryeqytet, pas hetimeve të kryera dhe informacioneve të mbledhura mbi këto vjedhje të ndodhura. Ndaj dy shtetasve të lartpërmendur rëndojnë akuzat për vjedhjen e një automjeti “Audi A4”, në pronësi të një shtetasi tjetër. Nga hetimet e policisë rezultoi se Eralda Hasanaj dhe Ahmet Bellahu kanë bashkëpunuar edhe me 21-vjeçarin Erand Hasanaj, për të kryer disa vjedhje në Tiranë, në vitin 2008. Në dokumentacionin e hartuar të arrestuarit akuzohen për vjedhjen e lokalit “Grejsi” në Tirana, në vitin 2009, vjedhjen e një dyqani argjendarie në qytetin e Fierit në 5 Maj të këtij viti, vjedhjen e një lokali lotosh sportive në 11 dhjetor të vitit 2009, ku ata dyshohet të kenë marrë një sërë sendesh elektroshtëpiake. Policia gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e tyre, sekuestroi si provë materiale, automjetin “Audi A4”, me targë TR 1055 L, një sasi të konsiderueshme floriri, i dyshuar si i vjedhur në një argjendari në qytetin e Fierit si dhe shumën e parave prej 100 000 lekësh. Tashmë policia po punon intensivisht për kapjen e shtetasit Erand Hasanaj, të identifikuar si bashkëpunëtor në këto vjedhje.

Tragjedi në një familje emigrantësh, babë e bir mbyten në det
ATHINË - Një djalë i mitur nga Shqipëria dhe babai i tij, janë mbytur tragjikisht në det kurse kërkimet për gjetjen e të parit ende vazhdojnë. Ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites së dy ditëve më parë në zonën bregdetare të Zaharos në ishullin e Peloponezit në Greqi. Gjithçka ka ndodhur në sy të shumë pushuesve. Djali 17-vjeçar i cili jetonte si emigrant bashkë me familjen në këtë ishull grek, është futur në det dhe ka nisur të notojë. Në një moment nuk e ka ndjerë veten mirë dhe duke parë rrezikun që po i avitej, ka kërkuar ndihmë. Klithmën e kanë dëgjuar shumë njerëz dhe mes tyre i ati, i cili rendi në det për ta shpëtuar. Por përpjekja ishte fatale për 42 vjeçarin sepse ai u mbyt pikërisht ndërsa përpiqej të shpëtonte të birin 17-vjeçar. Disa pushues u përpoqën t’u shkojnë në ndihmë por asgjë nuk pati vlerë, burri 42-vjeçar u nxor i vdekur nga deti kurse i biri humbi në ujërat e detit plot dallgë. Kërkimet për gjetjen e adoleshentit shqiptar vazhduan edhe gjatë ditës së djeshme duke futur në “lojë” dhe një helikopter, por ende ai nuk është gjetur, ndaj policia beson se ai nuk ka arritur të mbijetojë.

Arrestohen 2 shqiptarë për 48 vjedhje, në kërkim dhe 2 të tjerë

ATHINË - Në pranga kanë rënë dy shqiptarë dhe kërkohen dy të tjerë, pasi të katër së bashku kishin kryer 48 vjedhje nëpër shtëpi dhe një grabitje. Banda e përbërë nga katër shqiptarë, futej në orët e mbrëmjes në banesat që kishin dritare hapur ose portat e ballkonit dhe me kërcënimin e armëve merrni para, sende elektronike dhe makina. Operonin në zonat Haidhari, Koridhalo, Alimo, Gjeraka, Nikea, Peristeri, Agjion Anargjiron, Nea Filadhelfia, Kalithea, P. Faliro dhe Halandri. Shuma totale që kishin vjedhur në sende dhe në para, 8 muajt e fundit, arrinte në 350.000 euro. Njëri prej dy të arrestuarve ishte i dënuar më parë për trafik të lëndëve narkotike. Policia thekson se ka identifikuar dy personat e tjerë të grupit.

27 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›