E Shtunë, 31 Tetor 2026

Para false për turistët, pranga Xhelilit me 350 mijë lekë



Artan CENA
TIRANË - Falsifikimi i parave ka çuar në pranga një 46-vjeçar. Ardhja e sezonit turistik dhe qarkullimi çdo ditë e më i madh i parave ka bërë që një person të merrte një sasi parash me qëllim futjen e tyre në treg. Albend Xhelili është vënë në pranga dy ditë më parë në një nga rrugët e ish-bllokut, në afërsi të një lokali. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se, vënia në pranga e tij është bërë nga efektivët e Komisariatit Nr. 2, të policisë në bashkëpunim me ata të seksionit Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë e Policisë. Arrestimi i tij është bërë pas disa ditë hetimesh të bërë nga efektivët e policisë. Ai dyshohet se, shpërndante para të falsifikuara dhe gjatë kontrollit të ushtruar atij i është gjetur shuma prej 350 mijë lekësh, në prerje 5 mijë lekëshe, të gjitha false. Kanë qenë burime zyrtare nga Policia e Tiranës që kanë bërë të ditur lajmin gjatë ditës së djeshme.
Hetimet
Disa ditë më parë efektivët e policisë së kryeqytetit kishin marrë informacione në rrugë operative në lidhje me një sasi parash false që priteshin të hidheshin në treg. Menjëherë kanë nisur hetimet dhe është zbuluar dhe personi i cili kishte shumën e madhe të parave false. Policia e ka ndjekur disa ditë atë për ta vënë në pranga mbrëmjen e dy ditëve më parë. Ai është kapur në momentin që me vete kishte shumën e madhe të parave. Në momentin e arrestimit, policia i ka bllokuar 46-vjeçarit Xhelili, jo pak po 350 mijë lekë të gjitha të falsifikuara. Pas vënies në pranga të të dyshuarit, policia ka nisur hetimet për të zbardhur identetet e personave të tjerë që janë bashkëpunëtorët e Xhelilit. Por ende është bërë e ditur, se sa janë personat e tjerë që janë vënë nën hetim. Gjithashtu po punohet për zbardhjen e rrugës që kanë bërë paratë për të mbërritur në Tiranë, si dhe vendin ku janë falsifikuar. Dyshimet më të mëdha të policia janë që falsifikimet të jenë bërë në kryeqytet dhe pikërisht për këtë arsye është duke u punuar për gjetjen e laboratorit të falsifikimit të parave. Siç është mësuar, paratë do të hidheshin në treg duke përfituar dhe nga ardhja e emigrantëve dhe turistëve të shumtë.
Arrestimi
Burimet zyrtare nga policia e kryeqytetit thanë se, efektivët e Seksionit Kundër krimit Ekonomik Financiar kryen arrestimin në flagrancë të Albend Xhelili, 46 vjeç, banues në Tiranë. “Arrestimi i tij shtë bërë sepse në rrugën ‘4 Shkurti’, në afërsi të lokal “Mario Liza”, është kapur në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 Tiranë, me 35 copë monedha të prerjeve 5 mijë lekëshe, të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma e parave prej 350 mijë lekësh”, thanë burimet zyrtare të uniformave blu të Tiranës. Dosja në ngarkim të të arrestuarit i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për konsumim të veprës penale të “falsifikimit të monedhave”.

27 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›