E Diel, 1 Nëntor 2026

Fusha e Domosdovës kthehet në kënetë

Aty ku shpata e Skënderbeut 6 shekuj më parë ka prerë koka turku, sot kosat e fermerëve korrin vetëm bar. Fusha e Domosdovës në Përrenjas, ose siç është quajtur "fusha e betejës së Torviollit" është shndërruar në kënetë. Jo shumë larg nga këtu, rreth 60 vjet më parë do të thahej për t‘u kthyer në tokë pjellore, këneta e Maliqit. Duket se emërtimi kënetë sot i shkon përshtat fushës ndërmjet qytetit të Përrenjasit dhe Komunës kufitare të Rrajcës. Rreth 15 mijë banorë janë ushqyer historikisht nga kjo sipërfaqe prej më tepër se 1200 hektarësh, por që dhjetë vitet e fundit ka degraduar në kufijtë e të pabesueshmes. Të gjitha kanalet kulluese janë të bllokuara, të gjitha drenazhimet nëntokësore janë të mbyllura dhe e gjithë toka gëlon nga uji mbi e nën sipërfaqe, duke bërë të pamundur kultivimin e kulturave bujqësore. Fermerët mbjellin grurë e korrin kashtë, mbjellin misër e korrin lëpushka e kësisoj ndodh me të gjitha kulturat e tjera foragjere e perimore. Mësohet se që nga viti 1998, fushës së Domosdovës nuk i është bërë asnjë investim me eficencë teknologjike. Ndërsa janë investuar rreth 36 milionë lekë në vitin 2001, efektiviteti i këtij fondi mbetet gati inekzistent. "Edhe në verë këmbët të hasin në ujë, ndërsa në dimër unë nuk mund të hyj në tokën time", thotë Fredi Laçka, një ndër qindra fermerët që gëzojnë sipas ligjit të ndarjes së tokës parcelën e tij në fushën e Domosdovës. "Një sipërfaqe e tillë natyrisht që kërkon ndërhyrje të specializuar në kanalizime anësore dhe drenazhime nëntokësore dhe mungesa totale e tyre ka bërë që kjo tokë mjaft pjellore të shndërrohet në këto dhjetë vitet e fundit tërësisht në kënetë", pohon Mehmet Karriqi, specialist bujqësie. Ndërsa kreu i Komunës Rrajcë, Selaudin Bogdani, fajëson edhe derdhjen non-stop të mijëra metrave kub ujë nga tuneli i Qafëthanës. "Qëkur është hapur tuneli në Qafëthanë, sasitë e mëdha të ujit, edhe pse një pjesë thithet nga nëntoka, derdhen në fushën e Domosodovës, e cila në mungesë të trajtimit është shndërruar në tokë joproduktive", thotë Bogdani. Dikur nga kjo tokë përfitoheshin 40 deri në 60 kuintalë grurë për hektar, ndërsa sot rendimenti është në rreth 10-15 kuintalë grurë për hektar. Po ashtu edhe për kulturën e misrit apo për të gjitha llojet e drithërave apo perimeve. Fermerët e kësaj zone, që këtë vit janë përpjekur ta shohin tokën e tyre me tjetër sy, mbeten pesimistë në investimet tyre, pasi sipas tyre, nuk marrin as farën e hedhur. Sipas specialistëve, nëse degradimi i fushës do të vazhdojë me këto parametra, nuk duhen më tepër se 3-4 vjet që e tërë sipërfaqja e tokës të notojë nën ujë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›