Harasani: Centrali bërthamor?! Paradoksi i radhës i Berishës
Një ditë pas deklaratës së bërë nga Kryeministri Berisha se do të lejojë ndërtimin e një centrali bërthamor në Shqipëri, ka ardhur edhe përgjigja e PS-së. Deputeti socialist Andis Harasani në një konferencë për shtyp është shprehur se "dëgjuam jo pa shqetësim Kryeministrin tonë aktual, se si u tregonte investitorëve në Forumin e Krans Montanës, për koncesionet e shumta që qeveria ka dhënë në fushën energjetike dhe se si së shpejti do të fillojmë dhe energjinë bërthamore". Duke e quajtur deklaratën e kreut të ekzekutivit si një paradoks, Harasani ka theksuar se "të vjen keq të shikosh se si në një vend, ku papërgjegjshmëria qeveritare konkretizohet me fatkeqësinë e Gërdecit, në një vend ku dhe Instituti i Fizikës Bërthamore mbyllet, pasi nuk ka buxhet, e askush nuk kontrollon dhe qumështin që pinë foshnjat, të flitet për central bërthamor". Më pas, deputeti socialist ka sjellë sërish në kujtesën e të gjithëve firmosjet pompoze dhe investimet disa miliarda euro, për ndërtimin e një termocentrali në Seman të Fierit, para tre vitesh. Harasani tha se u fol për investim që jo vetëm do të zgjidhte problemin tonë energjetik, por dhe të fqinjëve. Jo pa keqardhje, theksoi ai, sot të gjithë vëmë re, se në këto tre vite, nuk është vënë akoma asnjë tullë për këtë vepër. Po këtë fat, ka theksuar Harasani më tej në deklaratën e tij, kanë pësuar dhe mbi 60 kontrata koncesioni, që janë dhënë për hidrocentralet e vogla. Ndërsa Berisha, tha deputeti socialist, vazhdonte të mburrej, se janë mbi 25 kompani që kanë marrë mbi 60 kontrata, por nuk tha asnjë fjalë se askush nga këto kompani, akoma nuk ka filluar as të investojnë, qoftë dhe një euro për këto investime. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur këto kontrata jepen mbi baza njohjesh e miqësish.