E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shëndetësia ka para, por nuk bën tendera

Të sëmurët nuk mund të diagnostikohen, jo sepse nuk ka para spitali, por sepse nuk bëhen tenderat. E vërteta ka dalë në dritë zyrtarisht vetëm pak ditë më parë, kur mori formë përfundimtare konflikti mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qendrës Spitalore Universitare. Një pjesë e mirë e problemeve në spitalin "Nënë Tereza" duhet të ishin zgjidhur pa u mbyllur muaji dhjetor i 2007-ës. Por, pavarësisht kësaj, një listë e gjatë e tenderave nuk janë kryer duke kaluar kështu në 2008-ën edhe problemet e mbartura nga mosrealizimi i blerjeve në vitin paraardhës.
Ilaçet dhe reagentët për kryerjen e analizave janë mungesat kryesore në spital, por edhe diagnostikimi mbetet një nga problemet akute të qendrës "Nënë Tereza". Një numër i madh pajisjesh janë prishur, shërbimet kanë nevojë për aparatura të reja për zëvendësime, si dhe për blerje të reja.

Administrata e "Nënë Terezës" ka sqaruar se lista e tenderave që duhet të zhvillohen kanë mbërritur në spital vetëm pak kohë më parë edhe pse problemet me ilaçet janë të kahershme. Por ministria nga ana tjetër ka deklaruar se faji për mosrealizimin e tenderave është për faj të drejtorit që nuk ka zbatuar urdhrat e ministrit për rregullimin e problemeve në spitalin "Nënë Tereza".

"Ministria e Shëndetësisë bën përgjegjës drejtorin e QSUT për faktin se gjatë vitit 2007 spitali shënoi një shifër rekord mosrealizimesh të investimeve për vitin 2007, rreth 3.5 herë më pak sesa plani vjetor. Konkretisht, qendra spitalore nuk arriti të kryejë procedurat e rregullta ligjore për prokurimin e pajisjeve mjekësore me vlerë 189 milionë lekë, blerje litrotrptori (pajisje e shkrirjes sw gurit nw veshka), me vlerë 55 milionë lekë, blerje skaner me vlerë 60 milionë lekë, pajisje mjekësore të teknologjisë së lartë me vlerë 60 milionë lekë, blerje pajisjesh endoskopie me vlerë 9 milionë lekë, si dhe blerje pajisjesh informatike me vlerë 21 milionë lekë", deklaroi zyrtarisht Ministria e Shëndetësisë.

Por drejtori i QSUT-së ka deklaruar se tenderat QSUT-ja di t‘i bëjë shumë mirë, por Ministria e Shëndetësisë nuk ka nisur asnjë procedurë tenderimi. Sipas drejtorit të qendrës, Mati Pepa, QSUT-ja ka gati 11 procedura, por komunikimi mes dy hallkave nuk ka qenë i duhuri. "Unë dërgoj disa shkresa rresht ku i them se mund të vihemi në vështirësi për medikamente që më datë 22.02.2008.

Më pas në datën 04.04.2008 i kërkoj të marrë masa", thotë Pepa. Përgjigjja e ministrit, sipas tij, ka qenë një letër dy gisht, ku thuhej: "Na jepni ilaçet emër për emër".

Sakaq, mbeten pacientët që duhet t‘i zgjidhin në mënyrë private problemet e tyre. E gjithë kjo situatë nuk ka rënduar vetëm punën në spital, marrëdhëniet mes drejtuesve të shëndetësisë, mes mjekëve e punonjësve të spitalit. Këto mungesa, mosrealizime, dështime, kanë paralizuar punën në qendrën më të madhe të vendit, spital i cili pret të sëmurë nga i gjithë vendi.

Tabelë

Tenderat e pakryer Sa kushtojnë

Prokurimin e pajisjeve mjekësore 189 milionë lekë

Blerje litrotrptori 55 milionë lekë

Blerje skaner 60 milionë lekë

Pajisje mjekësore të

teknologjisë së lartë 60 milionë lekë

Blerje pajisjesh endoskopie 9 milionë lekë

Blerje pajisjesh informatike 21 milionë lekë



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›