E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata, Berisha në verilindje: Do ulim moshën e pensionit

Kryeministri Berisha ka vijuar turin e tij elektoral në verilindje të vendit, ku është ndalur në takime me banorët e Peshkopisë, Bulqizë dhe Klosit. Në këto takime Berisha ka premtuar ulje të moshës së pensionit dhe zhvillim të fshatit. 

PESHKOPI- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar takime në disa rrethe në verilindje të vendit. Në takimin e tij me banorë të Peshkopisë Berisha tha se projekti ynë është Peshkopia europiane dhe Shqipëria Europiane. Ai ka premtuar ndërtim të ujësjellësve dhe furnizim me ujë për 24 orë, ndërsa është ndalur edhe në zhvillimin e fshatit.

“Zona verilindore e vendit do të ketë një program të vecantë për financimin dhe heqjen e të gjitha kufizimeve në kulturat më fitimprurëse për to. Në këtë qark janë të parashikuara mbi 20 hidrocentrale. Në këtë shesh në emrin tuaj le t’ju bëjmë një thirrje vëllazërore për të gjithë banorët e këtij qyteti pavarësisht nga bindjet e tyre politike, le të bashkohen me ne sepse ne jemi ata që me mundin dhe djersën të përkushtimit tonë ëndrrat i shndërrojmë në realitet, ne jemi ata që mbajmë premtimet. Ndaj më 28 qershor të gjithë sëbashku të votojmë 10-tën”- tha Berisha.

Më pas kryeministri Berisha zhvilloi një takim me banorë të Bulqizës, gjatë të cilit premtoi uljen me 5 vite të moshës së daljes në pension vendim që do të ketë fuqi prapavepruese.

“Një ndër ligjet më të para që do të kalojë në parlament është shkurtimi me 5 vjet i kohës së pensionit për minatorët e Bulqizës dhe të mbarë Shqipërisë. Ky shkurtim për efekte pensioni do të ketë fuqi të plotë prapavepruese. Duke shprehur dhimbjen time për aksidentet e minierës , unë ju garantoj ju, se do të bëjmë çdo gjë që përgjegjësit e tyre të vihen para ligjit. Së bashku, le tu bëjmë thirrje të gjithë emigrantëve, kudo që janë, të vijnë e të votojnë në këto zgjedhje për projekti ne Bulqizës evropiane, për projektin e Shqipërisë evropiane. Lë tu bëjmë një thirrje të gjitha banorëve të Bulqizës, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, që të bashkohen me ne, në projektin e Bulqizës evropiane, të Shqipërisë evropiane. Le të bashkohen me ne, sepse vetëm me ne kanë garanci të plotë për zbatimin e këtij projekti”- theksoi kryeministri Berisha.
Berisha ka zhvilluar më pas takime në zonën e Klosit ku ka premtuar ta kthej atë në një nga zonat më të rëndëishme të transportit për vendin. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›