"Fushata, Berisha po përdor administratën"
Kryeministri Berisha dhe qeveria e tij kanë qenë dje në qendër të sulmeve të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, deklaroi se Berisha po përdor administratën shtetërore për të bërë fushatë elektorale. Sipas Vasilit, Kryeministri tashmë ka hequr përfundimisht dorë nga qeverisja e vendit. Sot vendi, tha Vasili, nuk qeveriset më dhe Kryeministri ka zëvendësuar punët e qeverisë me propagandën elektorale dhe me manifestimet e inaugurimet demagogjike mashtruese. Sipas tij, gjendja e realizimit të investimeve publike është krejtësisht kaotike dhe gjithçka i është lënë spontanitetit, duke e rënduar shumë e më shumë situatën ekonomike në këtë moment veçanërisht të rëndë të krizës ekonomike. Vasili deklaroi se komunikimi i qytetarëve me administratën shtetërore për qindra e qindra halle të tyre është bërë i pamundur, sepse kjo administratë e ka humbur tërësisht rolin e saj dhe është shndërruar në një administratë elektorale që transportohet anekënd Shqipërisë për të mbushur sheshet elektorale të Berishës. "Shpërdorimi skandaloz i administratës shtetërore për qëllime elektorale ka paralizuar plotësisht funksionimin e shtetit, duke e kthyer shtetin nga një garant të interesave të qytetarëve në një antishtet elektoral", nënvizoi drejtuesi i LSI-së. Në emër të kësaj partie dhe të qytetarëve shqiptarë, Vasili i kërkoi Berishës të kthehet sa më parë në zyrën e Kryeministrit për të drejtuar qeverinë edhe në këto pak ditë që i kanë mbetur, sepse drejtimi i shtetit nuk është një biznes familjar, por një detyrim publik ndaj më shumë se tre milionë shqiptarëve. Gjithashtu ai ka theksuar se "LSI-ja garanton qytetarët shqiptarë se me fitoren e padiskutueshme të opozitës më 28 qershor do të ndahemi njëherë e mirë nga antishteti i Berishës për të krijuar shtetin e qytetarëve evropianë, që duan shtetin e ligjin dhe t‘i respektojnë ato". Në lidhje me kartat e identitetit, Vasili u shpreh se mospajisja e shtetasve me to është një problem i madh për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.