Fushata, Colin Powell mbështet kandidatin Obama
Ish-sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell është deklaruar publikisht pro kandidatit demokrat për president, Barack Obama. Në programin e kanalit televiziv NBC, Meet the Press (takim me shtypin) Powell e përshkroi senatorin Obama si një figurë transformuese.
Ai tha se si John McCain ashtu edhe Barack Obama ishin të kualifikuar për të drejtuar vendin, por Obama ishte më i përgatitur për të përballuar krizën ekonomike aktuale.
Ai gjithashtu kritikoi partinë e tij Republikane, duke thënë se fushata ka qënë negative dhe zgjedhja e senatorit McCain për zv/presidente, Sarah Palin, nuk ishte gati të bëhej presidente.
Powell ka qenë Sekretar Shteti në mandatin e parë të presidentit Bush. Ai ka qënë në poste të larta në administratën republikane të presidentëve Ronald Reagan dhe George Bush i vjetri.
Në fushatën e tij kandidati demokrat Barack Obama ka arritur të sigurojë një shumë rekord financimesh për muajin shtator prej 150 milionw dollarësh që e bën totalin e financimeve në 605 milion dollarë.
Obama nuk pranoi të merrte financime publike për fushatë ndryshe nga rivali i tij John McCain. Ai është i pari kandidati që nuk merr financime publike që kur sistemi u vendos në mesin e viteve 1970.
Kjo bën që kandidati demokrat të mos ketë kufizime përsa i takon shpenzimeve për fushatën. (BBC)