Transparency International: Financat e partive politike, skuta të errta
Tiranë-Partitë politke financohen kryesisht nga biznesmenë që preferojnë të mbeten anonim dhe të përfitojnë në mënyrë të paligjshme në tendera dhe asete shtetërore, kur partia e tyre është në pushtet. Ky është konstatimi i Transparency Interantional në Shqipëri e cila denoncon nivelin e lartë të korrupsionit dhe të mungesës së transparencës së partive politike. Sipas TIA, asnjë nga partitë politike shqiptare nuk deklaron se kush janë mjetet e saj të financimit.
“Partitë politike ne vend, vazhdojnë te cenojnë një nga detyrimet e tyre kryesore kushtetuese, bërjen publike te çdo lloj burimi financiar. Ato vazhdojnë te fshehin ne mënyre te vazhdueshme deklarimin e burimeve të tyre private”, deklaroi sot për mediat TIA. Në analizën e saj ka rezultuar se “informaliteti, mungesa e transparencës dhe kuadrit ligjor, mungesa e kapaciteteve dhe mekanizmave të kontrollit në financimet kryesisht nga bizneset dhe subjektet private në favor të partive politike ka krijuar një terren të përshtatshëm për një nivel të lartë të korrupsionit politik”. Pra TIA raporton hapur për lidhje të fshehta të partive me subjekte private.
TIA sqaron të raportin e saj se janë pikërisht këta donatorë që nuk kërkojnë të bëhen publikë. “Shoqëritë tregtare të cilat janë financueset më të mëdha nuk janë të interesuara të formalizojnë këto marrëdhënie dhe donacionet e tyre pasi në thelb kanë interesa të ngushta për të përfituar në proceset e prokurimeve, privatizimeve, sipërmarrjeve publike etj. Ata kthehen kështu jo vetëm në partnerë në abuzimin me pushtetin por edhe influencues në vendimmarrje të rëndësishme politike, ekonomike dhe institucionale”, thuhet në njoftim. “Vete partitë politike nuk kane bere ende asnjë përpjekje, për te ngritur kapacitete dhe për te shmangur vakuumin ne struktura me qellim auditimin e brendshëm te financave dhe kjo gjë vihet re pothuaj ne te gjitha partitë politike ne vend”.
Sëfundmi, Komisioni i Transparency International i ka kërkon Kuvendit mundësinë e një diskutimi transparent dhe realizimin e një seance dëgjimore me pjesëmarrje të gjerë si dhe pjesëmarrje të ekspertëve të saj veçanërisht për një çështje kaq kritike siç është financimi i partive politike.