Butrint, identifikohen 4 trafikantët
Tiranë-“Drejtuesit e varkës së mbytur janë identifikuar dhe po punohet për dokumentimin e veprimeve të tyre në këtë ngjarje si dhe arrestimin e tyre”. Kështu u shpreh sot zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Klodian Branka. Ndërkohë nga Saranda mësohet se janë shoqëruar 18 vetë për t’u pyetur në polici. Të gjithë udhëtarë të varkës së përmbytur që kërkonin të kalonin kufirin ilegalisht.
Identifiki i trafikantëve është bërë i mundur nga dëshmitë e mbledhura nga klandestinët. Një grup i posaçëm hetimor, i drejtuar nga Prokurori i Rrethit të Sarandës është ngritur dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmë në liqenin e Butrintit, Sarandë, kur, një varkë me disa persona është fundosur duke shkatuar dy viktima.
Ndërkohë, po nga deklarimet e personave të shoqëruar, deri në këto momente nuk ka të dhëna për shtetasin Ndriçim Myftari, 18 vjeç, lindur e banues në Bubullimë, Lushnje. Ai dyshohet se ka së bashku me personat e tjerë që do të kalonin kufirin”, tha Branko. Për këtë shtetas po vazhdojnë kërkimet intensive me grupe speciale të repartit RENEA në vendin ku është mbytur varka, si dhe nga grupe të luftës kundër krimit të organizuar e Policisë Kufitare në terrenin tokësor për të bërë të mundur gjetjen e tij. “Deri më tani nuk kemi siguruar asnjë provë që të vërtetojë mbytjen e tij, megjithatë kërkimet vazhdojnë intensivisht”, shtoi ai.
Zëdhënësi bëri të ditur gjithashtu se, në vendin ku është mbytur varka janë gjetur nga polumbarët specialë pasaporta, telefona, çanta etj. që u përkasin shtetasve të shoqëruar, të cilat janë administruar në cilësin e provës materiale.