E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata e partive te majta

26/02/2009  Rrjeti i vullnetarëve

Rama takime në Durrës

Kreu socialist, Edi Rama do të zhvillojë sot një takim me rrjetin e vullnetarët të Partisë Socialiste në qytetin e Durrësit. Prej javësh, kryetari Rama ka nisur turin e tij të takimeve me këtë rrjet në të gjithë vendin dhe gjatë ditës së sotme pritet që stacioni rradhës të jetë pikërisht qyteti bregdetar i Durrësit. Ashtu si dhe në takimet paraardhëse dhe gjatë takimit me të rinjtë vullnetarë të këtij qyteti, kreu socialist do të vendosë theksin pikërisht tek nevoja për një bashkim të ri përtej kufijve partiakë për të bërë të mundur realizimin e ëndrrës evropiane, duke sjellë kështu dhe ndryshimin e madh në vend. Ndërkohë në takimet e zhvilluara me këtë rrjet në qytete të ndryshme të vendit, kryetari i Partisë Socialiste ka zbardhur disa nga premtimet elektorale të kësaj partie, të cilat do të përbëjnë dhe prioritetet e programit të qeverisë socialiste, në rast fitoreje në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Kështu, premtimi i parë lidhej me arsimin, ku Rama premtoi lëvizjen me autobus për çdo nxënës që do ta kishte 20 minuta larg me këmbë shkollën ku ai mësonte. Një tjetër premtim ishte dhe ai për dhënien e certifikatës së pronësisë të gjithë bujqve e fermerëve dhe kjo në bazë të ligjit 7501.

Lidershipi i LSI-së vijon turin e takimeve paraelektorale në rrethe. Shpalosen premtimet

Meta: Punësimi - prioriteti i qeverisë sonë

“Do të ndërmarrim politika subvencionuese dhe ndihmëse, që fermeri t’i rikthehet tokës”

Oli Xhilaga

Lidershipi i Lëvizjes Socialiste për Integrim vijon në mënyrë intensive takimet paraelektorale në rrethe të ndryshme të vendit, duke shpalosur në të njëjtën kohë dhe prioritetet e qeverisjes së tij në rast fitoreje në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Në këtë kuadër, kreu i LSI-së Ilir Meta, bashkë me përfaqësues të tjerë të kësaj partie, zhvilluan një tur takimesh në Bashkinë e Divjakës dhe në komunat Dushk, Fier-Shegan dhe Bubullimë të Lushnjës. Njëkohësisht Meta gjatë ditës së djeshme rezervoi dhe një tjetër takim, por kësaj radhe në kryeqytet me të papunët te sheshi “Ushtari i panjohur”, që prej vitesh njihet si sheshi simbol i kategorisë së të papunëve. Në këto bashkëbisedime lidershipi i LSI-së dëgjoi dhe u njoh nga afër me problemet dhe hallet e banorëve, duke garantuar për zgjidhjen e tyre pas fitores në 28 qershor. Kështu, gjatë takimit me banorët e Divjakës Meta u ndal te gjendja e vështirë në të cilën ndodhet sot sektori i bujqësisë. “Qeveria jonë e ardhshme do të punojë me të gjitha mënyrat për të nxjerrë nga kriza në të cilën ka rënë sot bujqësia jonë. Nëse nuk del Myzeqeja nga kjo krizë e rëndë ku është bujqësia, nuk ka shans të zhvillohet ky sektor mjaft i rëndësishëm për ekonominë tonë në Sarandë, Skrapar, Tropojë apo gjetkë, ku sipërfaqja e tokës është shumë herë më e vogël sesa kjo që ndodhet këtu”, - vuri në dukje Meta lidhur me këtë çështje. Sipas tij, bujqësia duhet trajtuar si një çështje shtetërore dhe jo çështje politike

Deklarata

Bello: Vendi po përballet me thellim të varfërisë

Deputeti i Partisë Socialiste Marko Bello hodhi poshtë deklaratat e qeverisë “Berisha”, sipas të cilave vendi nuk është prekur nga kriza ekonomike. “Ndryshe nga deklaratat e qeverisë apo përpjekjet e ndonjë ministri se gjoja Shqipëria është i vetmi vend që nuk është prekur nga kriza ekonomiko-financiare botërore, duket qartë se në këtë fillim viti ne po ballafaqohemi me një krizë të thellë në disa plane: rënie e ndjeshme e prodhimit të përgjithshëm bruto (GDP), zhvlerësim i shpejtë i monedhës vendase, rritje e çmimeve, rritje e papunësisë, rënie drastike e dërgesave të emigrantëve, thellim i varfërisë dhe polarizim i frikshëm i shoqërisë”, - u shpreh Bello gjatë një deklarate për shtyp. Sipas tij, qeveria ka pasur kohën e mjaftueshme për të evituar një krizë të tillë. “Mendojmë se qeveria e tij ka pasur kohë të mjaftueshme, afër 4 vjet, për ta bërë këtë gjë, por nuk ka dashur. Sot ne themi se ka ardhur koha që Sali Berisha të ikë, duke rrezikuar të marrë vetë edhe ata që ende besojnë se ai dhe qeveria e tij mund ta zgjidhin krizën”, - vuri në dukje Bello lidhur me këtë çështje.

Akuza për qeverinë “Berisha”

Manjani: Janë zbatuar 1010 vendime të pabotuara në Fletoren zyrtare

Socialistët u janë rikthyer dje dhe një herë vendimeve të zbatuara nga qeveria, të cilat nuk rezultojnë të botuara në Fletoren zyrtare. Kryetari i Komisionit të Ligjeve në Asamblenë Kombëtare të PS-së Ylli Manjani gjatë një konference për shtyp, duke u ndalur në këtë çështje, vuri në dukje se “rimarrim edhe një herë çështjen e akteve normative të shtetit që ende nuk janë botuar në Fletoren zyrtare, për t’i bërë me dije opinionit publik se që prej shtatorit 2005 e deri më sot janë 1010 nga mbi 2924 vendime normative të qeverisë që nuk janë botuar në Fletoren zyrtare”. Gjithashtu, sipas tij, në inventarin e ligjeve të shtetit mungojnë dy ligje me numrat 9467 dhe 9664, që i përkasin vitit 2006. “Kujtoj se botimi i vendimeve të qeverisë dhe e ligjeve të shtetit në Fletoren zyrtare nuk është lënë në dëshirën e qeverisë, por është detyrim kushtetues. Neni 117 i Kushtetutës saktëson se aktet normative marrin fuqi juridike vetëm pasi botohen në Fletoren zyrtare”, - u shpreh Manjani. Ndërkohë për PS-në, edhe pse shkelje të tilla janë denoncuar më parë, sërish konstatohet se qeveria vazhdon të zbatojë vendime absolutisht të pavlefshme juridikisht. “Me këto vendime janë përdorur e po përdoren prona dhe paratë e publikut. Me vendime absolutisht të pavlefshme po administrohet korrupsioni galopant i qeverisë së Sali Berishës. PS-ja denoncon edhe një herë çështjen skandaloze të shkeljes së hapur të Kushtetutës nga Sali Berisha dhe vartësit e tij të verbër. Zbatimi këtyre vendimeve të pavlefshme juridikisht është dëm ekonomik i pastër që i shkaktohet shtetit dhe shqiptarëve”, - deklaroi ai. Manjani kërkoi që çdo qindarkë e këtij dëmi ekonomik të evidentohet me saktësi dhe personat përgjegjës të përgjigjen sipas ligjit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›