Kryetari i PS, akuza te ashpra qeverise pas daljes se Raportit kritik te DASH

Rama: Shqetesimet e DASH, tregojne nevojen per nje ndryshim te modelit qeverises
Tiranë, 26 shkurt 14:18 NOA - Kryetarit i Partisë Socialiste (PS), Edi Rama tha sot se ai ishte “i hidhëruar për të vërtetat e Raportit të Departamentit të Shtetit, por edhe i bindur se, këto të vërteta të hidhura provojnë jo vetëm vërtetësinë e shqetësimeve që opozita ka ngritur gjatë gjithë vitit të fundit, po edhe nevojën ulëritëse për ndryshimin e qeverisë e të qeverisjes”.
Departamenti i Shtetit konsideronte në raportin që publikoi dje ambasada amerikane se “gjatë vitit të fundit, qeveria tentoi edhe më shumë vënien nën kontroll të institucioneve të pavarura si gjyqësori, prokuroria e përgjithshme dhe media”.
Për këtë fakt, Rama komentoi se i gjithë viti i fundit ka qenë viti i një përpjekjeje të madhe nga ana jonë për të mbrojtur pavarësinë e institucioneve drejtësisë e të medias dhe pas 121 ditësh Shqipëria e qytetarëve që duan shtet do të votojë për t’i shpëtuar njëherë e mirë këto institucione nga sulmet e bajraktarit në pushtet.
Në Raport po ashtu shkruhet se Qeveria ndërhyri në hetimet mbi shpërthimin e depos së armëve në Gërdec më 15 Mars.
Komenti i Ramës për këtë, ishte: “Ne nuk bëmë me Gërdecin atë që politika e vjetër ka bërë 18 vjet me radhë me tragjeditë e dramat njerëzore duke kërkuar vetëm përfitimin politik të ditës. I’a lamë drejtësisë të thotë fjalën e saj dhe për 15 marsin që vjen kemi iniciuar një manifestimin të madh qytetar, që do të nisë në kraterin e vullkanit të korrupsionit në Gërdec për të kujtuar tragjedinë e tmerrshme dhe do të mbyllet përpara zyrës së Kryeministrit në Tiranë për të kërkuar zbardhjen deri në fund të saj”.
“Sipas Kushtetutës sistemi gjyqësor duhet të jetë i pavarur, megjithatë presioni politik, korrupsioni, burimet e limituara dhe kërcënimet e pengojnë gjyqësorin të funksionojë në mënyrë të pavarur dhe efektive” shkruan Departamenti i Shtetit.
Këtu Rama ka premtuar se “Qeveria e re do ta mbyllë njëherë e mirë këtë kapitull të zymtë në marrëdhëniet mes ekzekutivit e gjyqësorit”.
Një tjetër pikë e Raportit ishte se Qeveria ka ushtruar presion indirekt mbi median. “Zyrtarë të lartë kanë ndërmarrë sulme serioze verbale ndaj medias, duke i akuzuar ato për lidhje me krimin dhe mafian”, - shkruan Departamenti i Shtetit duke nënvizuar edhe politizimin proqeveritar të KKRRT e të TVSH-së apo sjelljet abuzive me Top Channel, Neës24, Vizion+ dhe gazetën TEMA”.
Rama komentoi se “gjatë gjithë vitit që përfshihet në këtë raport ne jemi përpjekur shumë seriozisht në mbrojtje të lirisë së medias e të informacionit dhe nuk kemi asnjë dyshim se në raportin e vitit të ardhshëm të Departamentit të Shtetit nuk do të flitet më as për KKRRT e TVSH të politizuar, as për presione të qeverisë sonë mbi mediat dhe as për sulme verbale si ato që, për faqen e zezë të të gjithëve, kryeministri Berisha ka bërë mbi njerëzit e shtypit”
e.l/NOA