Projekti në Jalë,Olldashi:Kemi prishur ndërtimet pa leje

Ministri i Transporteve dhe Punëve Publike Sokol Olldashi ka reaguar mbi deklaratën e djeshme të drejtoreshës së Bankës Botërore për Shqipërinë Camille Noamah se Banka Botërore nuk ka përgjegjësi për prishjen e ndërtimeve në Jalë. Sipas ministrit Olldashi, qeveria shqiptare asnjëherë nuk është shprehur se prishja e ndërtimeve është kërkuar nga kjo bankë, "Ne kemi deklaruar se Banka Botërore ka aprovuar politikën e qeverisë për prishjen e ndërtimeve pa leje në këto zona", theksoi ministri Olldashi.
Më tej Olldashi ka shtuar se të 12 ndërtesat e prishura në zonën e Jalës kanë qenë pa leje, dhe ligji për procesin e legalizimit nuk funksionon në këto zona pasi quhen zona turistike. Jo para shumë kohësh Camille Noamah gjatë një deklarate për shtyp ka thënë se financimi për projektin e jugut do të vazhdojë që të jetë i pezulluar deri në një vendim të dytë. Më tej ajo ka thënë se mbi prishjen e këtyre ndërtimeve Banka Botërore është informuar pasi ka filluar ky proces.