Fushata elektorale, Berisha premton legalizimin e banesave informale nëpërmjet letrave me vlerë
Kryeministri urdhëron hartimin e vendimit për uljen rreth 80% të vlerës së legalizimeve. Ky vendim favorizon ata individë që kanë përfituar më shumë nga zënia e pronës së ish-pronarëve legjitimë
Eljona Ballhysa
Në fund të mandatit qeverisës dhe në kulmin e fushatës elektorale, kryeministri Sali Berisha premton legalizimin e ndërtimeve informale nëpërmjet përdorimit të letrave me vlerë. Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, kryeministri Berisha urdhëroi ministrin e Financave dhe atë të Punëve Publike që të marrin masat për të hartuar vendimin që u hap rrugën qytetarëve që të paguajnë 80% të vlerës së objektit informal duke përdorur letrat me vlerë. Sipas të dhënave zyrtare, në total janë emetuar 74.9 miliardë lekë letra me vlerë, ose, siç quhen ndryshe, bono privatizimi, prej të cilave u janë shpërndarë publikut 51.2 miliardë lekë. Nga këto janë përdorur deri tani në proces privatizimi 10 miliardë lekë, ndërkohë që mbeten të shpërndara dhe të papërdorura 41 miliardë lekë të tjerë. Bonot e privatizimit mund të përdoren për qëllimin me të cilin janë emetuar deri më 31 dhjetor të vitit 2010. Letrat me vlerë, të cilat u emetuan në vitet 1995-1996, patën vetëm 9 muaj jetë dhe përdorimi i tyre më pas u ndërpre. Ndaj dhe aktualisht shumë pak njerëz mund të disponojnë letra me vlerë për shkak se për gati 10 vjet ato nuk u përdorën dhe qytetarët i shitën me çmim mjaft të ulët. Ndaj dhe premtimi i Berishës është një tjetër përpjekje për të mbledhur sa më shumë vota në zgjedhjet e 28 qershorit.
Deklarata
“Kam qenë president i vendit kur kam miratuar dhe urdhëruar emetimin e letrave me vlerë për qytetarët shqiptarë, ndaj ato nuk mund të injorohen”, - tha Berisha gjatë fjalës së mbajtur dje në mbledhjen e qeverisë. Ai bëri të ditur se i gjithë procesi i legalizimit, përveç taksës së infrastrukturës, që është taksë e qeverisjes vendore, do të kalojë përmes letrave me vlerë. “Qytetarët që do të legalizojnë objektet do të kenë të drejtë që 80% të vlerës së tyre ta paguajnë me letra me vlerë. Në këtë mënyrë ne hapim për letrat me vlerë një nga tregjet më të fuqishme, në mos tregun më të fuqishëm të vendit, i cili bazohet në legalizimin e 500 mijë objekteve”, - është shprehur Berisha, ndërsa u kërkoi drejtuesve të Ministrisë së Financave që së bashku me Ministrinë e Punëve Publike të përgatisin kuadrin e nevojshëm ligjor që ky vendim të hyjë në fuqi sa më parë. Berisha sqaroi se nga ky proces do të përfitojnë edhe qytetarët që kanë paguar 100% të vlerës së objektit të legalizuar. “Qeveria do t’u rimbursojë 80% të vlerës që ata do të detyrohen ta paguajnë me letra me vlerë. Me këtë proces ne shkojmë drejt shlyerjes së detyrimit që kemi ndaj më shumë se 1 milion shqiptarëve”, - theksoi kryeministri.
Gjatë mbledhjes së djeshme qeveria miratoi vendimin për legalizimin e 7000 ndërtesave dhe objekteve.
Përdorimi i letrave me vlerë favorizon më së shumti personat që kanë zënë sipërfaqe të mëdha toke. Vendimi parashikon që sipërfaqja mbi 300 metra katrorë tokë do të paguhet me letër me vlerë.
Përdorimi
Vetëm nëntë muaj jetë patën letrat me vlerë në kontekstin e privatizimeve. Bëhet fjalë vetëm për një periudhë transitore, në vitet ‘95-‘96, nga ku më pas çdo veprim me këto letra do të kryhej dhe do të menaxhohej nga një numër i vogël “duarsh”, që do të kontrollonin gjithçka. Në vitin 1997 procesi u ndërpre për më të shumtën e kohës, ndërsa në vitin 1998 operatore në tregun e letrave me vlerë ishin vetëm bankat dhe në të rrallë ndonjë firmë e licencuar si operatore. Në këtë treg, në vitin 1996, u licencua kompania “Anglo Adriatika”, e cila mblodhi bonot e privatizimit të 45 mijë kreditorëve me të cilat do të investonte në privatizimin e shumë ndërmarrjeve dhe do t’u kthente kreditorëve lekët me interes deri në vitin 2001. Kjo skemë “u dogj” në vitin 1997 për shkak të trazirave dhe drejtuesit e fondit kërkuan aktivizimin e skemës në vitin 1998.
Qeveria rrit pagesën mujore të personave me statusin e të verbërve
Qeveria miratoi gjatë mbledhjes së djeshme vendimin për rritjen e pagesës mujore të personave me statusin e të verbrit. Ky vendim rrit pagesën për personat që kanë statusin e të verbrit dhe të kujdestarëve të tyre nga 8700 lekë në muaj që është aktualisht, në 9800 lekë në muaj. Gjithashtu vendimi parashikon indeksimin e kësaj pagese çdo vit me rritjen e pagës minimale në shkallë vendi. Po gjatë mbledhjes së djeshme qeveria miratoi vendimin “Për caktimin e nivelit bazë të së ardhurës nga papunësia”.
Vendimi i miratuar në zbatim të ligjit “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, rrit ndjeshëm nivelin bazë të së ardhurës nga papunësia.
Rritja që barazon të ardhurën nga papunësia me 50% të pagës minimale në shkallë vendi bëhet në kuadër të përshtatjes së legjislacionit shqiptar me atë ndërkombëtar. Kryeministri Berisha u shpreh se brenda katër viteve nuk do të ketë më asnjë qytetar shqiptar nën nivelin e 2 dollarëve në ditë.
12 Qershor 2009