E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhaferri: “Falë qeverisë së PD-së po zgjidhet çështja e legalizimeve



Kandidati për deputet në qarkun e Durrësit, Ferdinand Xhaferri, zhvilloi dje takime me banorë të lagjeve 8 dhe 15 të këtij qyteti, me të cilët bisedoi rreth problemeve të zonës dhe zgjidhjeve që ai parashikon gjatë mandatit të ardhshëm. “Bashkëbisedimi me ju është mënyra më e mirë për t’ju qëndruar pranë dhe për të qenë në brendësi të problemeve të shumta që kanë gjeneruar gjatë qeverisjes së keqe lokale”, - tha Xhaferri, i cili shtoi se kandidatët e djathtë vijnë në këto zgjedhje me premtime të mbajtura, çka, sipas tij, u jep të drejtën të kërkojnë besimin dhe mbështetjen e qytetarëve edhe për mandatin e ardhshëm.
“Falë qeverisë së Partisë Demokratike po zgjidhet çështja e legalizimit, aq e prekshme për ju”, - iu drejtua Xhaferri banorëve të Lagjes Nr. 15. Takimet e tij vijuan në “Qendrën e argëtimit të pensionistëve”, ku një numër i konsiderueshëm pensionistësh shprehën falënderimet ndaj qeverisë “Berisha”, e cila, sipas tyre, mbajti premtimin për rritjen e pensioneve dhe të rrogave. Xhaferri u premtoi banorëve të kësaj zone që me impenjimin e qeverisë dhe të tijin personal, zona e Kënetës do të zhvillohet më tej në kuadër të ndryshimit të Shqipërisë.

Kryetarja e Kuvendit takohet me biznesin e vogël në Shkodër

Kryetarja e Kuvendit, shoqëruar nga deputetë të ardhshëm të Shkodrës, janë ndalur lagje më lagje, shtëpi më shtëpi e veçanërisht dyqan më dyqan, ku janë takuar me biznesin e vogël përgjatë rrugëve të Shkodrës. Ata vlerësuan se rrugët e reja, ulja e ndjeshme e taksave, furnizimi 24 orë me energji e ujë. Të gjitha këto kanë rritur fuqinë blerëse në bizneset e tyre, por edhe turizmin, dhe i kanë dhënë Shkodrës një imazh krejt tjetër nga katër vite më parë. Disa prej tyre thanë se duke parë klimën favorizuese janë kthyer nga emigrimi për të bërë biznes fitimprurës në vendin e tyre.
Në takimet me ta kryetarja e Kuvendit garantoi se në mandatin e dytë punësimi do të jetë në fokus edhe përmes nxitjes së investimeve të huaja dhe mbështetjes për biznesin, veçanërisht biznesin e vogël dhe familjar.

Flamur Noka në Kukës: “PD-ja do të fitojë 4 mandate deputetësh”

Demokratët synojnë 4 mandate për deputetë në qarkun e Kukësit. Kandidati i Partisë Demokratike, Flamur Noka, i cili kryeson listën e kandidatëve në qarkun e Kukësit, u takua me banorë të Kukësit dhe Hasit ku shprehu besimin se PD-ja do të fitojë thellë në këtë qark. Në takimet me votuesit në komunat Bushtricë, Grykë-Çajë, Bicaj, Golaj dhe Fajza, Noka deklaroi se në 4 vite qarku i Kukësit ka qenë në qendër të investimeve të qeverisë. “Autostrada Durrës-Kukës, kryevepra rrugore në vend, është rruga që do të sjellë zhvillimin e shpejtë të zonave në Veri të Shqipërisë”, - tha Noka në takimet me votuesit e qarkut Kukës. Noka tha se me rrugën Durrës-Kukës, banorët e Kukësit, Hasit dhe Tropojës do të afrohen më shumë drejt metropolit dhe zonave të zhvilluara. Noka tha se vetëm investimet në infrastrukturën rrugore në Kukës, Has, Tropojë janë rreth 750 milionë lekë.

12 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›