E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitarët e shumtë të drejtësisë qeveria u rregullon statusin e detyrimet

12/06/2009  Projektligji përcakton qartë shkallët si nis mbrojtja e deri tek masat e plota

TIRANË- Këshilli i Ministrave miraton projektligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë, duke përcaktuar qartë rrethanat kur një person merret në mbrojtje, kontrata e tij si dhe detyrimet. Ky ligj rregullon masat e posaçme, të përkohshme dhe të jashtëzakonshme, mënyrën dhe procedurat e mbrojtjes së dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, si dhe organizimin, funksionimin, kompetencat dhe marrëdhëniet ndërmjet organeve të ngarkuara për propozimin, vlerësimin, miratimin dhe zbatimin e programit të mbrojtjes. Organi përgjegjës për përgatitjen, ndjekjen dhe zbatimin e programit të mbrojtjes është Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, si strukturë e posaçme qendrore e policisë së shtetit, pranë Departamentit për Hetimin e Krimeve, në Drejtorinë e përgjithshme të Policisë së Shtetit, e cila e shtrin veprimtarinë e vet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Komisioni për vlerësimin e programit të mbrojtjes së dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë kryesohet nga zëvendësministri i Brendshëm dhe në përbërje ka një gjyqtar-zëvendëskryetar, drejtorin e drejtorisë-anëtar, një prokuror-anëtar, një oficer të Policisë Gjyqësore nga policia e shtetit-anëtar.

Kushtet e parimet e programit

Kur zbatimi i masave të zakonshme të mbrojtjes për dëshmitarin ose bashkëpunëtorin e drejtësisë nuk është i mjaftueshëm dhe i përshtatshëm, zbatohet programi i mbrojtjes, sipas këtij ligji, nëse ai pranon të bashkëpunojë me vullnet të lirë me prokurorinë dhe gjykatën, dhe, nëpërmjet deklarimeve dhe/ose dëshmisë së vet të plotë, të bërë pa kushte dhe rezerva, të japë të dhëna të bazuara, që përbëjnë prova vendimtare për zbulimin, hetimin dhe gjykimin e krimeve dhe të autorëve të tyre. Zbatimi i programit të mbrojtjes për dëshmitarin ose bashkëpunëtorin e drejtësisë vendoset vetëm nëse ai ndodhet në gjendje rreziku, është i përshtatshëm për t’u përfshirë në program dhe me vullnetin e vet të lirë pranon e merr pjesë aktivisht në zbatimin e tij. Programi i mbrojtjes nuk ka për qëllim të sjellë përmirësimin e gjendjes ekonomike të personit të mbrojtur. Programi i mbrojtjes, si rregull, zbatohet për një afat të pacaktuar dhe mund të shtrihet në të gjitha fazat e procedimit penal, si dhe pas përfundimit të tyre. Kohëzgjatja e zbatimit të programit të mbrojtjes varet nga ekzistenca e gjendjes së rrezikut, përshtatshmëria e personit të mbrojtur në raport me masën e posaçme të mbrojtjes.

Marrëveshja me personin e mbrojtur

Në një kohë sa më të shkurtër dhe në çdo rast, jo më vonë se 10 ditë nga data e miratimit të pranimit në programin e mbrojtjes, drejtoria përgatit marrëveshjen për zbatimin e programit (marrëveshjen e mbrojtjes) dhe merr masa për bisedimin dhe nënshkrimin e saj me dëshmitarin, bashkëpunëtorin e drejtësisë dhe personat e tjerë të mbrojtur. Përpara se të nënshkruhet marrëveshja, bashkëpunëtori i drejtësisë detyrohet të informojë drejtorinë me hollësi për llojet dhe masën e pasurive të zotëruara prej tij. Nëse ndonjë nga pasuritë, që zotërohen nga bashkëpunëtori i drejtësisë, është produkt i veprave penale, e ardhur ose përfitim nga produktet e veprës penale, apo pasuritë, me të cilat janë përzier këto produkte, atëherë personi duhet ta deklarojë këtë fakt. Në rastet kur bëhet një deklarim i tillë, drejtoria njofton menjëherë prokurorin e Përgjithshëm. Marrëveshja e mbrojtjes nuk është marrëdhënie detyrimi, në kuptim të Kodit Civil.

Neni 13

Masat e mbrojtjes

1. Drejtoria vendos për personat e mbrojtur zbatimin e një ose të disa prej masave të posaçme të mbrojtjes, si:

a) ndryshimi i identitetit;

b) ndryshimi i vendbanimit;

c) dhënia e dokumenteve të rreme;

ç) mbrojtja e përkohshme e identitetit, e të dhënave dhe dokumenteve;

d) dhënia e dëshmisë me një identitet tjetër dhe administrimi me mjete të veçanta, për deformimin e zërit a të pamjes së tij, dhe forma të tjera, të caktuara sipas ligjit;

dh) mbrojtja, fizike dhe teknike, në vendin ku qëndron personi, si dhe gjatë lëvizjeve të tij, përfshirë edhe ato për përmbushjen e detyrimeve ndaj organeve të drejtësisë.

2. Drejtoria mund të vendosë që, përveç masave të posaçme të mbrojtjes, të zbatojë për personat e mbrojtur edhe një ose disa prej masave të mëposhtme ndihmëse:

a) Rehabilitimi social;

b) Dhënia e ndihmës financiare;

c) Rikualifikimi profesional;

ç) Dhënia e këshillave dhe e ndihmës së specializuar ligjore;

d) Masa të tjera, që mund të çmohen të nevojshme për rastet konkrete.

Neni 20

Përmbajtja e marrëveshjes

1. Në marrëveshjen e mbrojtjes parashikohen, detyrimisht, këto çështje:

a) Detyrimet e personave të mbrojtur;

b) Masat, e posaçme dhe ndihmëse, që do të merren nga drejtoria për të ofruar mbrojtjen e duhur, sipas nivelit dhe rrethanave të rrezikut;

c) Rastet dhe rrethanat e ndryshimit dhe të ndërprerjes së programit të mbrojtjes;

ç) Rastet e pranimit vullnetar të programit të mbrojtjes nga personi i mbrojtur;

d) Kushtet e bashkëpunimit me drejtësinë, në rastin e bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

2. Marrëveshja e mbrojtjes parashikon, gjithashtu, rregullimin më të hollësishëm të përmbushjes, nga personat e mbrojtur, të kushteve dhe detyrimeve, si më poshtë vijon:

a) Të pranojë kushtet dhe udhëzimet e përcaktuara për programin e mbrojtjes dhe të bashkëpunojë në mënyrë aktive për zbatimin e tyre;

b) Të mbajë parasysh natyrën e informacionit të klasifikuar dhe, në çfarëdo rrethane, të mos bëjë të ditur asnjë të dhënë për programin e mbrojtjes

c )Të mënjanojë çdo veprim ose mosveprim, që mund të rrezikojë zbatimin e programit të mbrojtjes;

ç) Të informojë menjëherë drejtorinë për çështje, që kërkohen prej saj, ose për ngjarje apo ndryshime të rrethanave të jetës a veprimtarive të tij personale

d) Të pranojë, pa nevojën e një vendimi gjyqësor të posaçëm që, nëse është e domosdoshme për qëllimet e mbrojtjes apo të procedimit penal

dh) Detyrime të tjera që drejtoria i çmon të domosdoshme, në varësi të natyrës dhe rrethanave të rastit konkret;

e) Detyrimet për prindin apo kujdestarin, në rastin kur personi i mbrojtur është i mitur apo kur atij i është hequr a kufizuar zotësia për të vepruar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›