E Diel, 1 Nëntor 2026

Fushata elektorale nuk ka ndikon në fluksin e turistëve

Gjirokastër Fushata elektorale për zgjedhjet lokale dhe “beteja” politike nuk ka ndikuar negativisht për ecurinë e turizmit në Gjirokastër. Gjatë ditëve të fundit të muajit prill dhe javës së parë të majit në qytetin e gurtë është konstatuar një numër në rritje i turistëve vendas dhe të huaj. Zyrat e informimit turistik dhe specialistët e kësaj fushe në qytetin e Gjirokastrës flasin për një rritje të vizitueshmërisë dhe numrit të turistëve në qytetin e gurtë gjatë kësaj periudhe. Sipas shifrave të publikuara nga zyrat e informimit turistik gjatë kësaj periudhe në Gjirokastër kanë qenë të pranishëm rreth 4 mijë vizitorë ose 20% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. “Aktualisht ne kemi konstatuar një fluks në rritje të numrit të turistëve në Gjirokastër gjatë këtij sezoni”, thonë specialistët e turizmit. Sipas tyre promovimi i vazhdueshëm që po i bëhet Gjirokastrës pas përfshirjes së qytetit në Listën e Trashëgimisë Kulturore Botërore nën Mbrojtjen e UNESCO-s bën që Gjirokastra të tërheqë interesimin e operatorëve turistikë si dhe vizitorëve nga vendi dhe bota. “Gjirokastra turistike është gjithmonë e më e pranishme në faqe interneti, guida turistike të rangut botëror etj çka bën që vlerat e saj historike dhe trashëgimia kulturore të kenë gjithmonë e më shumë mundësi promovimi dhe njohje nga ana e personave të interesuar”, thotë specialistja e turizmit Enkelejda Roze ndërsa shpjegon fluksin në rritje të grupeve turistike. Numrin më të madh të turistëve e zënë vizitorët nga Greqia, për të vijuar me pas me turistët gjermanë, francezë etj. B.SH.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›