E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fati i projektvendimeve të bashkisë në dorë të çamëve

DURRËS Vetëm 7 forca politike kanë mundur të fitojnë vende në këshillin bashkiak të Durrësit për mandatin 2011-2015, ndërkohë që në mandatin e kaluar kanë qenë dyfishi i kësaj shifre, plot 14 parti. Hyrja në koalicione të mëdha dhe zhvillimi i një gare të fortë midis partive të vogla për të fituar sa më shumë vota për subjektet në zgjedhjet e 8 majit, ka lënë jashtë këshillit shumë forca politike në Durrës. Nga ana tjetër është përsëri një rastësi, përsa i përket shifrave, pasi edhe pas zgjedhjeve të 2007, Këshilli Bashkiak i Durrësit u konfigurua me 24 këshilltarë nga koalicioni i djathtë dhe 21 ai i majtë. Më konkretisht në ato zgjedhje, Partia Demokratike fitoi 14 këshilltarë, e ndjekur nga Partia Socialiste me 13, LSI me 5 dhe më pas PDR 2, PDI 2, PR 2 dhe më pas nga një vend PDK, PBDNJ, PDS, PSD, PAA, PAD dhe LZHK. Kjo situatë ka zgjatur në fakt vetëm dy vjet, pasi hyrja në koalicion e LSI-së me PD-në në zgjedhjet e qershorit 2009, bëri që të ndryshojnë edhe më shumë në favor të së djathtës, numrat në Këshillin Bashkiak. Bashkimi i LSI-së me PD-në, bëri që këshilli bashkiak të konfigurohej me plot 28 këshilltarë në koalicionin e djathtë dhe 17 me atë të majtë. Tashmë situata duket se është tërësisht e ndryshme, edhe pse koalicioni i djathtë bashkë me partitë aleate, LSI, PDIU dhe PR, ka 24 vende. Kjo për faktin se në listat e dy partive kyçe, LSI dhe PDIU, këtë radhë ka emra tërësisht të rinj, që nuk kanë qenë anëtarë të këshillit bashkiak të kaluar. Duket se e gjithë “loja” do të luhet nga 4 këshilltarët e PDIU, kjo për faktin se kjo parti në Durrës ka dalë tashmë forcë e tretë duke lënë pas LSI-në, ndërsa konkurrenca mes të dyjave do të reflektohet edhe në këshill, pas acarimeve të skajshme gjatë numërimit të votave për katër ditë më radhë në pallatin e sportit. Vetë përfaqësues të PDIU-së janë shprehur në fund të numërimit total të votave se “do të shohin interesin e tyre në vendimmarrjen e këshillit bashkiak”, duke paralajmëruar kështu se mazhoranca e koalicionit “Aleanca për qytetarin” mund të mos jetë për një kohë të gjatë mazhorancë reale në numra. Nga ana tjetër kryetari i sapozgjedhur i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, do ta ketë më të lehtë këtë radhë për të siguruar shumicën në këshill për të miratuar vendime të rëndësishme. Atij i duhen së paku dy vota nga krahu i kundërt dhe këto vota Dako është shprehur se mund ti sigurojë shumë lehtë pikërisht te PDIU. Konfigurimi i këtij këshilli ka përfundimisht këtë trajtë: PS 19 vende, PD 15, PDIU 4, LSI 4, PR 1, PDK 1 dhe PDS 1. Fitorja me rezultat të thellë e Dakos përballë Xhaferaj në zgjedhjet e 8 majit tashmë ia ka zgjuar atij edhe ambicien për të marrë drejtimin e këshillit të qarkut. Barazpesha e plotë në njësitë vendore të qarkut të fituara nga PD dhe PS bën që ambicia e Dakos të jetë lehtë e realizueshme, ndonëse votat e dhëna për subjektet politike janë më të shumta në numër për koalicionin “Aleanca për qytetarin”.

Aleks Kalemasi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›