Patos, kandidatët ndahen me një votë nga njëri-tjetri
Dy kandidatët për kryetar komune në fshatin Zharrës në Patos janë ndarë me një votë. Kështu Arben Semanjaku, i Aleanca për të Ardhmen, ka marrë 1683 ndërsa Taulant Garxenaj i Aleanca për Qytetarin, ka marrë 1684 vota. Vota ka sjellë pështjellim në sallë. Secila palë pretendon se fleta e votimit është për kandidatin e vet. E ndërsa jashtë sallës së numërimit simpatizantët e dy palëve festonin fitoren, beteja e nervave kryej brenda sallës. KZAZ pezulloi procesin e dhënies së rezultatit përfundimtar, ndërsa anëtarë të komisionit në fjalë, përfaqësues të PS dhe PD, e kanë komentuar këtë votë sipas këndvështrimit të tyre. Antoneta Cuni, anëtare e KZAZ përfaqësuese e PS, pretendon se vota është në favor të PS. Ndërsa anëtari i komisionit përfaqësues i PD, Mehmet Hyka, pretendon të kundërtën. Deputeti i Armando Subashit ka shkuar më tej, duke shtuar se shumë vota të kandidatit të PS janë nxjerrë të pavlefshme dhe PS do të ankimoj këtë çështje. Ka përfunduar së numëruari votat e njësisë qeverisë se komuna Qendër, si dhe komuna Libofshë në Fier. Në komunën Qendër është rikonfirmuar sërish si kreu i saj Harrilla Mile. Ai ka fituar përballë kandidatit rival, përfaqësues i Aleancës për Qytetarin, Arsen Kollundra, duke numëruar në fund të procesit 1150 vota në favor të tij. Ndërsa kandidati i Kollundra fitoi 572 vota nga zgjedhësit në datën 8 maj.
Në Libofshë, Naun Doko i “Aleanca për të ardhmen” ka fituar me 2711 vota kundrejt Nikolla Zaka me 1082. Katër njësi të qeverisjes vendore janë të fituara nga Aleanca për Qytetarin, në rrethin Mallakastër. Ndërsa tre prej tyre, përfshi edhe Bashkinë Ballsh, janë fituar nga Partia Socialiste. Sipas të dhënave të marra nga KZAZ Ballsh, dy njësi të qeverisjes vendore, e konkretisht komuna Kutë dhe Fratar, janë dërguar në Komisionin Qendror të zgjedhjeve, pasi kontestohen prej palëve në rezultat. Sipas po të njëjtave të dhëna, Partia Demokratike ka fituar në komunën Ngracan, me kandidatin Nuri Kora, përballë kandidatit të Partisë Socialiste, Besnik Shanaj. Ndërsa në komunën Selitë, PD ka fituar me kandidatin Altin Bregasi, i cili garoi përballë kandidatit Hekuran Resuli.
Në komunën Greshicë fitues është kandidati i LSI, Baftjar Bakiu, i cili garoi përballë kandidatit të PS, Bilbil Veliaj. Edhe komuna Qendër Mallakastër është fituar nga kandidati Agron Kapllanaj, i cili fitoi përballë kandidatit Sybi Aliaj. Ndërsa Partia Socialiste fitoi në komunën Hekal, me kandidatin Eqerem Beqiraj, që u vu në garë përballë kandidatit Qemal Pasha të PD. Edhe komuna Aranitas është fituar nga Aleanca për të Ardhmen me kandidatin Viktor Mahmutaj. Komuna Kutë dhe Fratar është ende pa një rezultatet përfundimtar, për shkak të kontestimit të palëve.