E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Fushata për zgjedhjet vendore, kryesia e PS-së bën disa ndryshime me karakter organizativ

Kryesia e PS ka vendosur të bëjë disa ndryshime të natyrës organizative, në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 2023. Lajmi u bë i ditur nga kryetari i PS-së, Edi Rama, menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së socialistëve. Sipas tij, ato janë ndryshime të natyrës organizative, që nuk kanë ndonjë peshë, pasi nuk janë ndryshime në qeveri.

“Të gjithë kanë detyrat dhe ndryshimi i pozicioneve në kushtet kur jemi drejt një fushate zgjedhore nuk përbën ndonjë gjë të re. Nuk ka asnjë rëndësi që të hyjmë në emra, pasi të gjithë jemi shërbëtorë, ku secili ka rolin e tij. Kjo është një skuadër ku ka role të ndryshme dhe secili bën rolin e tij. Kemi nisur punën për zgjedhjet vendore. Tani kemi hyrë në fazën e dytë të procesit të organizimit për të cilin kemi folur sot. Kjo vjen në një kontekst shumë të jashtëzakonshëm për shkak të situatës ku ndodhet bota e sidomos Evropa. Inflacioni i luftës është një forcë e madhe që ka marrë hov duke i prekur të gjithë, por ne kemi detyrën të bëjmë gjithçka që është e mundur që pa shkatërruar ekuilibrat financiarë të vendit, ta lehtësojmë këtë dhimbje. Ky ishte thelbi i takimit të sotëm”, tha Rama.

Lidhur me çështjen e mbylljes së shkollës “Mehmet Akif”, kryeministri u përgjigj se ministria e Arsimit nuk është hera e parë që i heq licencën një institucioni.

“Do ishte shkelje nga ministria nëse nuk vepronte në këtë rast. Ky aktivitet është transferuar në një godinë tjetër dhe për këtë nuk është marrë miratim. Nuk ekziston që të niset me një licencë këtu dhe ta bësh diku tjetër. Mua s’më bën dot presion askush. Asnjë lloj politikani apo përfaqësuesi i ndonjë shteti. Në asnjë formë, pasi unë jam kryeministri që më kanë zgjedhur shqiptarët. S’më kanë zgjedhur as turqit, as italianët”,- tha Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›