E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata zgjedhore Flamujt në Kashar "plagosin" dy vëllezër

TIRANE-  Dy vëllezër të plagosur, një person i ndaluar, 3 të tjerë të shoqëruar janë rezultatet e një beteje "politike" për vendosje flamujsh në ambientet e një lokali në Kashar. Gjithçka ndodhi orëve të mesditës së djeshme, ndërsa në barin e Fatjon dhe Genci Kamberit kanë shkuar Luan, Fredi dhe Zani Sula.

Gjithashtu bashkë me ta mësohet se ka qenë edhe Shkëlqim Lleshi. Këta persona bëhet e ditur se iu kanë kërkuar dy vëllezërve heqjen e flamujve të Partisë Demokratike nga lokali dhe vendosjen e flamujve të Partisë Socialiste, sipas policisë së Tiranës. Pas grindjes disaminutëshe mësohet se ka nisur edhe përleshja mes tyre. Pretendimet e socialistëve janë se dy djemtë kanë qenë të armatosur dhe se gjithçka ka nisur për vetëmbrojtje. Vëllezërit Kamberi janë gjendur nën një mori goditjesh të lëshuara nga simpatizantët e Partisë Socialiste e për pasojë janë plagosur nga goditjet e shumta që kanë pësuar. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë efektivët e komisariatit nr.6, të cilët kanë mundësuar edhe ndërhyrjen për shuarjen e sherrit dhe nisjen e procedimit ndaj tyre.

Dy vëllezërit janë nisur për në Spitalin Ushtarak, ku edhe i janë nënshtruar ndërhyrjes mjekësore, ndërkohë që ndaj katër personave që mësynë vëllezërit janë marrë edhe masat paraprake të procedimit. Sipas të dhënave zyrtare të policisë së Tiranës, e cila ka reaguar orëve të vona të së djeshmes për incidentin, bëhet e ditur se lokali në të cilin ndodhi incidenti gjendet në afërsi të kompleksit "Aurora Grup", ndërsa katër simpatizantët e PS-së janë shoqëruar në polici dhe pasi janë marrë në pyetje mësohet se janë lënë të lirë. Njëri prej tyre e konkretisht Luan Sula, do të procedohet edhe penalisht, pasi akuzohet si organizator i gjithë atij sherri që përfundoi me dy të plagosur.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›