“Fushatë denigruese për të shkatërruar hetimin”

Ministri i Brendshëm Flamur Noka replikon me deputetë e PS, Balla dhe Tahiri
Ministri i Brendshëm Flamur Noka ka akuzuar deputetët socialistë se po kërkojnë të shkatërrojnë hetimin e vrasjes së Kryekomisarit Dritan Lamaj duke publikuar edhe foton e të dyshuarit të vrasjes Arben Frroku me zyrtarë të policisë së shtetit.
Duke folur në sallën e Kuvendit, ministri Noka ka paralajmëruar se ka hapur një hetim për të zbuluar të gjitha lidhjet e Arben Frrokut me politikën. “Keni 24 orë që keni inspiruar këtë fushatë të gjerë politike, për të denigruar procesin, për të dëmtuar procesin e hetimit dhe për të shkatërruar procesin e hetimit. E keni bërë ju për arsyet tuaja dhe qëllimet i dini mjaft mirë. Për sa i përket fotos, kjo ishte një foto normale,... po po, me të cilën, po të merrem unë me fotot tuaja, do t’ju nxjerr juve, gjysma juaj ose më shumë se gjysma juaj, se i kam fotot, duhet të lini jo vetëm parlamentin, por duhet të lini edhe Shqipërinë. Por unë po jua them, por... Taulant, meqë do, ta nxjerr, ta nxjerr unë ty! Ti je i lidhur këmbë e kokë me trafikun e drogës dhe të femrave. Ti Taulant e ke emrin Fatos Gjura dhe kjo dihet...”, replikoi Noka kundër akuzave të deputetit socialist Taulant Balla.
Ai ka theksuar se pas hetimit të vrasjes së Kryekomisarit Dritan Lamaj do të publikojë të gjitha dokumentet dhe lidhjet që sipas tij deputetët e PS-së kanë me të dyshuarin Arben Frroku. “Sa i përket z. Tahiri i them, meqë ju i referoheni fotos, atëherë i them: z. Tahiri, para ekzaktësisht 16 ditësh, ti zotëri te dy kullat, me kë ke ngrënë darkë? Nga ora 20:30 deri 02.30 ti z. Tahiri ke qenë me të dyshuarin për vrasës të Kryekomisarit kur ke ngrënë darkë. Sqaroni qytetarët, ti sa herë ke shkelur, ke ngrënë dhe ke pirë në lokalin e të dyshuarit për vrasje. Kombinati z. Tahiri e di shumë mirë. Ke shkuar në lokalin e tyre, i ke miq dhe ke ngrënë e ke pirë. E treta: Për sa i përket fotos po ju them edhe një gjë tjetër: pyesni një çikë kryetarin e minibashkisë nr. 6, me kë është ortak në bizneset e tij? Ka, ka lidhje!... Ju po merreni me këtë çështje... Unë me të parë fotografitë, në cilësinë e Ministrit të Brendshëm, ju garantoj se kam urdhëruar të hapet një hetim i gjerë për të gjitha lidhjet e të dyshuarit për vrasje. Qoftë me gjithë ata që janë në foto, qoftë me të gjithë të tjerët. Por shihni, sepse rezultojnë lidhjet e tjera...”, theksoi Noka.
Sipas tij, “e gjithë historia e zhurmës rreth një fotoje të bërë në mars të 2011-ës, është një histori politike, për të shkatërruar procesin, por nuk do të mundeni”.