E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushatë me keqpërdorime

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” ka prezantuar raportin nga monitorimi i fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Ferizajt, ku ka nxjerr në pah se edhe gjatë kësaj fushate, partitë politike, janë treguar të papërgjegjshme në orientimin e fushatës. Po sipas tyre, edhe në këtë fushatë, janë keqpërdorur veturat zyrtare dhe telefonat mobil që paguhen nga taksapaguesit.

Gjatë një konference për media, Ismet Kryeziu nga “Demokracia në Veprim” ka shpalosur në pika të shkurtër raportin, ku edhe pse ishte një fushatë e shkurtër vetëm prej 5 ditësh janë hasur shumë shkelje të rregullave nga partitë politike.

“Ende edhe sot, edhe fushata zgjedhore në Ferizaj, edhe pse shumë e shkurtër prej 5 ditë, ka vënë në pah papërgjegjshmërinë e subjekteve politike, edhe ka reflektuar edhe njëherë dhe ka përcjell edhe njëherë një traditë të papërgjegjësisë të subjekteve politike në orientimin e fushatave dhe në proceset zgjedhore të cilat tanimë në Kosovë janë të tentuar edhe të trajtuar për t’u përmirësuara”, ka theksuar Kryeziu.

Ai ka shtuar se duke pas parasysh që Ligji për zgjedhjet lokale ende nuk ka ndryshuar dhe ka zbrazëtirë ligjore, partitë politike kanë përdorur materialet para fillimit edhe afatit kohor duke shfrytëzuar mungesën e legjislacionit.

Raporti nxjerr në pah se fushata zgjedhore në përgjithësi ka kaluar e qetë pa ndonjë incident edhe përveç takimeve publike të cilat i kanë organizuar partitë politike, kanë pasur edhe takime të cilat janë zhvilluar derë më derë apo me biznese dhe qytetarë të kategorive të ndryshme.

Kryeziu ka thënë se lidershipi i partive politike me angazhimin e tyre në këtë fushatë ka lënë nën hije kandidatët për kryetar të komunës së Ferizajt. Sipas tij, ky ishte edhe një test për të parë përkrahjen e qytetarëve në rast të zgjedhjeve parlamentare apo presidenciale.

Një raport ceket se një numër i zyrtarëve të institucioneve publike kanë qenë të përfshirë në fushatë zgjedhore, dhe kjo është një shkelje e cila është përsërit në shumë zgjedhje në Kosovë dhe vazhdon të përsëritet.

Nuk ka munguar as përdorimi i veturave zyrtare nga zyrtarët e institucioneve të vendit.

“Zyrtarët nga institucionet publike përveç kohës që kanë përdorur si resurs publik kanë përdorur edhe veturat zyrtare, kanë përdorur edhe derivatet për ato vetura, kanë përdorur edhe telefonat të cilat janë shpenzime të cilat vijnë nga taksapaguesit kosovar. Partitë politike edhe në këto fushata kanë përdorur fëmijët dhe sidomos me pjesëmarrjen dhe mbushjen e sallave ku ata kanë mbajtur takimet, por edhe shpërndarjen e materialeve propaganduese ku janë parë një numër i madh i fëmijëve me flamuj, me shpërndarje të postareve, pllakateve etj.”, ka theksuar ai.

Po ashtu, raporti përmend që militantët e partive politike kanë vazhduar edhe këtë herë të bëjnë grisjen e postareve, mbulimin e tyre dhe këtu më së shumti janë ankuar partitë opozitare.

Gjatë kësaj fushate as objektet publike nuk kanë mundur t’i ikin subjekteve politike, të cilat kanë përdorur edhe institucionet fetare si xhamia, teatrot, shkollat apo kuvendet komunale për të vendosur materialet promovuese për partitë politike të tyre apo kandidatët e tyre.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), gjatë kësaj kohe, ka marr 11 ankesa nga subjektet politike për fushatën zgjedhore. Janë shqyrtuar 5, ndërsa 2 nga këto 5 janë hedhur poshtë dhe janë shqiptuar 3 gjobat, kurse 6 ankesa janë ende në shqyrtim. Këtu është fjala për periudhën gjatë fushatës.

Konluzioni i fundit që ka nxjerr “Demokracia në Veprim” për këtë fushatë zgjedhore është se koha prej 5 ditëve ka qenë afat kohor i pamjaftueshëm për lider për kandidatët për të shpalos programin e tyre dhe për të përfshirë sa më shumë qytetarë në diskutime dhe takime publike, kur kihet parasysh se fushata ka qenë 5 ditë dhe kanë qenë ditë pune.

Element tjetër është mandati i shkurtër i kryetarit që do të fitoj për komunë të Ferizajt. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›