AKR–AAK, tregti me aderime
Tri ditë pasi AKR njoftoj se i ka marrë 14 anëtarë të Kryesisë së Degës së AAK’së në Fushë Kosovë, erdhi përgjigja e Partisë së Ramush Haradinajt.
AAK ka njoftuar sot se ia ka marrë AKR’së pesë udhëheqësit kryesor të Degës së Fushë Kosovës.
“Sot në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë aderuar zyrtarisht udhëheqësit dhe strukturat më të larta, që deri më sot kanë udhëhequr Degën e Aleancës Kosova e Re. Zyrtarët që aderuan në AAK, janë: Z. Muharrem Zogiani, kryetar i Degës së AKR-së në dy mandate dhe, po ashtu, në dy mandate këshilltar i Asamblesë Komunale në Fushë Kosovë; Z. Hasan Maxhuni, Nënkryetar i Degës së AKR-së në Fushë Kosovë; Znj. Blerta Sejdiu, këshilltare komunale nga Dega e AKR-së në Fushë Kosovë; Z. Ekrem Maxhuni, kryetar Degës së të rinjve të AKR-së dhe Z. Kujtim Maxhuni, veprimtar i deritashëm i kësaj partie”, thuhet në njoftimin e AAK’së.
Sipas njoftimit, bashkë me zyrtarët më të lartë të deritashëm të kësaj partie, në AAK kanë kaluar edhe mbi 80 për qind të anëtarësisë dhe strukturave drejtuese të kësaj dege të AKR-së.
“Në ditët në vijim priten edhe aderime të tjera, masive, në degën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Fushë Kosovë”, thuhet në fund të njoftimit të AAK’së.
Ndryshe, AKR kishte njoftuar të mërkurën se AAK’së ia ka marrë shumicën e Degës në Fushë Kosovë, përfshirë edhe Kryetarin e Degës Shaban Ademi.
Edhe LDK para disa ditësh ia ka marrë kryetarin e AKR’së në Podujevë, Avni Ajeti.