E Diel, 1 Nëntor 2026

AKR ofron alternativa për shëndetësinë dhe arsimin

Kandidati i AKR-së për kryetar të Ferizajt, Ramadan Hasani në mbyllje të fushatës ka zhvilluar një takim me mjekë dhe punëtorë të arsimit.

Ai ka thënë se nëse merr besimin e qytetarëve për të udhëhequr me qytetin do të fillojë zgjidhjen e problemeve, meqë AKR-ja ka programe solide. Hasani ka thënë se në mjekësi ka probleme, pa lënë pa përmendur edhe korrupsionin e hapur që ka lulëzuar në spitale, duke qenë një formë e papranueshme për qytetarin.

Ndërsa zyrtari i lartë i kësaj partie, Ibrahim Gashi u ka thënë të pranishmëve se arsimi në të kaluarën ka qenë shtylla kryesore e mbijetesës, ndërsa në vitet e pasluftës nuk ka pësuar shumë ndryshime, përjashtuar infrastrukturën shkollore.

Por, sipas tij, pak ndryshime janë bërë në rritjen e cilësisë së mësimnxënies, ndërsa kandidati i AKR-së, do t'i kushtojë një rëndësi parimore këtij aspekti.

Edhe lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se duhet punuar shumë në shumë segmente të jetës.

Ai ka ripërsëritur se me punë mund të arrihet një infrastrukturë e mirë, rrugë më të mira dhe të pastra, rrjet kanalizimi të ri, kujdes ndaj ushqimit dhe organizim më të mirë të shëndetësisë.

Pacolli ka kërkuar nga ferizajasit votën për ndryshime, duke legjitimuar të dielën Ramadan Hasanin.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›