E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur internacionalja socialiste cicëron në tuiter, konservatorët zbatojnë reforma

27-03-2012 / Redaksionale

Gjatë ditës së djeshme kryesocialisti Edi Rama zhvilloi takime jo vetëm ballazi, por edhe në “tuiter”, me deputetët vëllezër të parlamentit anglez Ed dhe David Milliband. Përmes një mesazhi në rrjetin social Tuiter, Rama bëri të ditur se në takimin me liderin e Partisë Laburiste Ed Milliband u diskutua rreth situatës politike në Shqipëri dhe programin e ri të PS-së. Edhe ish-ministri i jashtëm David Milliband, vëllai i Edit, shkroi një mesazh në faqen zyrtare të kreut të PS-së në Tuiter.
Megjithatë është i çuditshëm fakti që Edi Rama bredh jashtë vendit nëpër takime të ndryshme për të shpjeguar programin e Partisë Socialiste. Çudia është tek fakti që ky program është i panjohur për shqiptarët, edhe aq pak sa është njohur, për shembull, taksa progresive është kundërshtuar nga grupet e interesit, si një taksë e pakuptimtë në kushtet e ekonomisë shqiptare, e cila ka nevojë për investime të huaja. Është thënë nga ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë që implementimi i “taksës progresive” do të shkaktonte një tkurrje të investimeve të huaja, e për rrjedhojë papunësi.
Sakaq Rama ka shkuar në Londër për të kërkuar një mbështetje për kinse reformën fiskale dhe taksën progresive. Por është kjo e fundit që po kundërshtohet nga qeveria konservatore e kryeministrit britanik David Kameron, i cili nëpërmjet ministrit të thesarit ka theksuar se, taksa progresive e aplikuar në Britaninë e Madhe prej shumë vitesh duke ndikuar në rritjen e borxhit publik dhe deficitit. Ministri i financave në projektbuxhetin e paraqitur në parlament e ka klasifikuar si gabim aplikimin e taksës progresive dhe ka paraqitur një plan për uljen e saj. Me uljen e taksës progresive qeveria britanike ka identifikuar problemin e ekonomisë duke sjellë zgjidhje të reja. Rruga e zhvillimit tashmë do të bazohet në uljen e taksave dhe zhvillimin e infrastrukturës.
Kuptohet vetiu kur lexojmë për masat kaq drastike të një vendi që merret për shembull për menaxhimin korrekt të financave, sigurisht të shtohet besimi tek qeveria Berisha, e cila ka vendosur taksën e sheshtë dhe zhvilluar infrastrukturën, duke e zhilluar vendin dhe larguar tej efektet e krizës ekonomike botërore.
Sidoqoftë nuk është hera e parë që Edi Rama “flirton” ideologjikisht me Partinë Laburiste angleze (Labour Party, partia e punës e atjeshme), pasi më parë pati përvetësuar idenë e “Rrugës së tretë” të Toni Bler, që në shqip, Rama e përktheu dobët në politikën “Përtej të majtës dhe të djathtës”, domethënë asgjëkund. Sigurisht sot të dy partitë ka më shumë kohë të njihen, ngase janë të dy në opozitë, edhe për shkak të paqartësisë së asaj çfarë propozojnë qytetarëve.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›