Fushatë sensibilizuese kundër drogës nëpër shkolla
Qendra Shqiptare për Integrimin e të Rinjve, QSHIR, me mbështetjen e Programin e Kombeve të Bashkuara për Ushqim, UNFPA, ka ndërmarrë dje fushatën sensibilizuese me gjimnazistët e kryeqytetit “Të ndërgjegjësojmë të rinjtë, prindërit dhe mësuesit për drogën”.
Në qendër të fushatës për sensibilizimin e të rinjve për rreziqet e drogës dhe pasojat që lë ajo në mentalitetin dhe edukimin e brezave, ishin shkollat e mesme të Tiranës, Kamzës dhe Bathores, duke u nisur edhe nga problemet që kanë të rinjtë në zonat e urbanizuara këto vite të fundit.
“Çlirohu nga kthetrat e drogës! Ji i ndërgjegjshëm për të drejtat, përgjegjësitë dhe lirinë tënde! E sotmja pa drogë, një e nesërme me të ardhme të sigurt. Unë kam energji, sepse s’marr drogë. Unë dhe ti mund të ndryshojmë botën. Droga na shkatërron të gjithëve”, - ishin këto disa nga mesazhet që të rinjtë përcollën në punën e tyre për ndërgjegjësimin e rreziqeve të drogës si individë dhe në shoqëri.
Në fushatë u përfshinë edhe përfaqësues të pushtetit lokal, mësues, prindër, të rinj, të prekur nga përdorimi i drogës si dhe disa përfaqësues të fushave të ndryshme.
Në mesazhin drejtuar nxënësve dhe të rinjve, atletja Klodiana Shala, njëherësh drejtore e Agjencisë së Sportit, theksoi se droga shtyn drejt një çasti ndryshe, por dita, java dhe viti kanë shumë momente që kërkojnë trurin tuaj të përqendruar dhe në funksion të plotë.
“Mesazhi im është: Mos u tundoni nga një gëzim i momentit, që mund t’ju sjellë një cigare. Mendoni për më gjatë, mendoni për jetën, për të ardhmen tuaj”, – tha ajo.