Fushatë vjedhjeshNga Hekuran KokaI akuzuari si numri dy i bandës së Lushnjës, Enver Dondollaku, është dënuar dje me katër burgime të përjetshme. Por, pavarësisht kësaj, ai do të vuajë vetëm 25 vjet burg. Kjo, duke qenë se Dondollaku u procedua me gjy
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Fushatë vjedhjeshNga Hekuran KokaI akuzuari si numri dy i bandës së Lushnjës, Enver Dondollaku, është dënuar dje me katër burgime të përjetshme. Por, pavarësisht kësaj, ai do të vuajë vetëm 25 vjet burg. Kjo, duke qenë se Dondollaku u procedua me gjykim të shkurtuar, gjë që bëri të mundur uljen e dënimit të tij. I njëjti dënim për Dondollakun u dha edhe disa muaj më parë nga e njëjta gjykatë, ajo e Krimeve të Rënda, por Gjykata e Apelit e riktheu atë për shkelje procedurale.
Vendimi
Plot katër dënime me burgim të përjetshëm janë dhënë në vendimin përfundimtar të gjykatës për Enver Dondollakun, duke qenë se mbi të rëndonin katër vrasje, mes tyre dhe ajo e inspektorit të krimeve në qytetin e Lushnjës, Kledi Bano. Megjithëse Dondollaku është dënuar plot katër herë me burgim të përjetshëm, ai do të kryejë vetëm 1/3 e dënimit të dhënë nga ana e gjykatës. Kjo, pasi në fillim të procesit gjyqësor në ngarkim të tij, mbrojtësi i krahut të djathtë të Aldo Bares kishte kërkuar gjykim të shkurtuar për klientin e vet, kërkesë që është pranuar nga trupi gjykues. Për këtë Dondollaku do të vuajë vetëm 25 vjet burg nga dënimi i dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Në vendimin përfundimtar të dhënë nga kjo gjykatë ditën e djeshme, Enver Dondollaku është shpallur fajtor për 8 akuza, të tilla si vrasje, tentativa vrasjesh, krijimi dhe drejtimi i organizatave kriminale, kryerja e akteve terroriste etj. Kështu, gjykata e ka shpallur fajtor atë për veprën penale të pjesëmarrjes në organizatën kriminale të bandës së Lushnjës dhe e ka dënuar me 5 vjet burg për këtë vepër. Ndërkohë, për veprën penale të akteve terroriste, që ka të bëjë me shpërthimin në stadiumin e qytetit të Lushnjës, “Roza Haxhiu”, është dënuar me 25 vjet burg. Përveç këtyre dy akuzave, Dondollaku është shpallur fajtor edhe për vrasjen e Kledi Banos, Bledar Haxhiut, Artan Sulçes, Xhevat Demirit, si dhe për pjesëmarrjen në vrasjen e Nimet Zenelit, Masar Aliut dhe Idajet Beqirit. Si përfundim, pasi ka mbledhur të gjitha dënimet e dhëna për Enver Dondollakun, Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur ta dënojë atë me burgim të përjetshëm, ku si pasojë e gjykimit të shkurtuar, ai do të vuajë vetëm 25 vjet burg. Gjatë procesit gjyqësor Dondollaku u gjykua në mungesë, njëlloj siç ishte hetuar, duke u përfaqësuar nga avokati Vladimir Meçe, të cilin fillimisht familja e tij e kishte pajisur me prokurë, ndërsa më pas vetë i pandehuri dërgoi deklaratë nga burgu i Riminit, Itali, ku ngarkonte këtë avokat ta përfaqësonte gjatë procesit gjyqësor.
Numri 2 i bandës
Numri 2 i bandës së Lushnjës, Enver Dondollaku, njihet dhe si krahu i djathtë i Aldo Bares, kreut të bandës së Lushnjës. Ai ka qenë i pranishëm që në fillimin e veprimtarisë së bandës, fillesat e së cilës gjenden në vitin `97. Vrasja e vëllait të Alfred Shkurtit, i njohur ky i fundit me emrin e Aldo Bares, ka qenë dhe motivi i krijimit të kësaj bande, e cila më pas mori tiparet e një organizate të vërtetë kriminale. Kjo, pasi përveç eliminimit të vrasësit të vëllait të Aldo Bares dhe miqve të tij, pjesëtarët e kësaj bande filluan të merren edhe me trafikim të lëndëve narkotike, ku për një kohë të shkurtër ata u bënë trafikuesit më të mëdhenj të lëndëve narkotike. Veprimtarinë e tyre ata e shtrinë edhe në fushën e biznesit, ku gjatë kësaj kohe u bënë zotërues të vërtetë të Lushnjës. Vrasja e parë që rëndon mbi Dondollakun dhe miqtë e tij është ajo e shqiptaro-maqedonasit Xhevat Demiri, vrasje e ndodhur më 3 gusht të vitit 1997. Viktima është ndaluar në hyrje të qytetit nga katër persona të armatosur, ku ndërmjet tyre ishin dhe të pandehurit Aldo Bare, Enver Dondollaku, Ilir Stergu dhe Afrim Hoxha, të cilët pas vrasjes janë transportuar me makinë nga Arben Boriçi. Ndërkohë, vrasjet e bandës kanë vijuar me atë të datës 13 shkurt të vitit ‘98, në vendin e quajtur Kolonjë të rrethit të Lushnjës, ku është ekzekutuar Nimet Zeneli. Në këtë vrasje kanë marrë pjesë Aldo Bare, Enver Dondollaku, Arben Boriçi dhe Ilir Stergu, të cilët si synim për të vrarë kanë pasur Gramoz Selmanin, shok i ngushtë i Artur Dajës, i cili udhëtonte bashkë me Nimet Zenelin dhe Masar Aliun. Ndërkaq, një javë më vonë, me synimin e vetëm vrasjen e Masar Aliut, në rrugën Kolonjë-Bitaj të rrethit të Lushnjës, persona të armatosur, ku ndërmjet tyre ishte dhe Enver Dondollaku, i zënë pritë këtij të fundit. Ata kanë qëlluar në drejtim të këtij të fundit, duke i shkaktuar vdekjen, ndërkohë që kanë qëlluar edhe në drejtim të Idajet Beqirit, i cili udhëtonte bashkë me Aliun, duke e vrarë në vend atë. Ndërkaq, Dondollaku gjendet i burgosur në qelitë italiane, duke qenë se është dënuar nga drejtësia e këtij vendi me 17 vjet burg për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.