E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet erdhën, por nuk duhet të vazhdojë i njëjti skenar Nga Ahmet Sulstarova*Në sistemet diktatoriale nuk ka rëndësi nëse shkon të votosh apo jo, sepse votat as që numërohen, por në votime shkojnë të gjithë (nga frika!). Në demokraci, nëse nuk sh

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Zgjedhjet erdhën, por nuk duhet të vazhdojë i njëjti skenar Nga Ahmet Sulstarova*

Në sistemet diktatoriale nuk ka rëndësi nëse shkon të votosh apo jo, sepse votat as që numërohen, por në votime shkojnë të gjithë (nga frika!). Në demokraci, nëse nuk shkon të votosh, nuk ke të drejtë të flasësh apo të ankohesh.

Po ne, tani, në çfarë lloj sistemi jetojmë, diktaturë apo demokraci?

Ta analizojmë nën dritën e fakteve të jetuara e të pakundërshtueshme: Në vitin 1991, u tha që u bë kthesa e madhe. Për 24 orë sistemi diktatorial i llojit aziatik u kthye, u deklarua demokraci parlamentare. Tani njerëzit gjithnjë e më shumë po vënë re se në këtë lloj sistemi “të ri”, në pushtet janë rikthyer po ata që ishin në diktaturë: fëmijët e tyre, spiunët e ish-Sigurimit të diktaturës dhe sekretarët e partisë. Të njëjtën gjë e sheh në gjykata dhe në çdo strukturë që quhet shtet.

Nuk po ndalim në “strategjinë e Katovicës”, që të gjithë e njohin shumë mirë, por rikujtojmë se në takimin e “përfaqësuesve të zgjedhur” të lëvizjes për demokraci, Ramiz Alia i qetë përsëriste duke lëvizur dorën, sikur do të përziente diçka: “Daleni more djema, daleni! Mos u ngutni!.. Eh, … sa ka zanati!”

Ai kishte të drejtë: koha e tregoi këtë zanat.

Dhe kemi 18 vjet që shohim në politikë kolltukofagët që përshkruan Fan Noli, po ato fytyra apo figura të fëlliqura, që në disa raste janë të ngarkuara me krimet e diktaturës, kanë 25 vjet që janë aktivë në politikë, si ministra, zv/ministra, drejtorë të drejtorive politike, sekretarë komitetesh të partisë, shefa të Sigurimit e të zbulimeve etj., që nuk kanë ndërmend të largohen. I madhi Fan Noli thotë: “Ata pas kolltukut kapen me dhëmbë dhe kur ua pret kokën, ajo u ngel e ngulur atje.”

Ky qëndrim ka dy arsye që shpjegohen me porositë e Ramiz Alisë se, “së pari, të ruajmë pushtetin, se me gjak e morëm dhe me gjak e dorëzojmë. Së dyti, të ruajmë vazhdueshmërinë në breza, duke krijuar me bijtë tanë një klasë të re politike, të arsimuar në shkollat më prestigjioze të botës”, (të mbështetur ekonomikisht e financiarisht me pasuritë e paratë e vjedhura, duke shfrytëzuar që nga thesaret e shtetit, që u shpërndante kredi në fillim të vitit 1991 në zyrat e ish-Komitetit Qendror, nën hundën e qeverisë “demokratike”, si dhe vjedhjet e mëvonshme të thesarit- Shënimi im A. S.). Por, pas sigurimit të pushtetit ekonomik duhet dhe pushteti politik. Ramiz Alia, me sa kuptohet, i ka dhënë zgjidhjen që ata të mos nxirren nga loja. Në arenën politike ai krijoi dy parti; dhe disa partiçka, që u përkrahën, për të krijuar aleanca për të plotësuar peizazhin politik të një demokracie false. Alternimet e pushtetit bëhen çdo katër vjet, opozita akuzon pozitën që abuzon, vjedh dhe pasurohet. E kjo mbetet në sferën e fjalëve. Thirrjet e liderëve të të dy krahëve janë “Do të shkoni në burg, do shkoni! Do ta shikoni, kur të vijmë ne në pushtet, o hajdutë dhe kriminelë!” E lloj-lloj epitetesh, deri në trafikantë e vrasës…Qeveritarët në pushtet dëgjojnë me gjakftohtësi, sikur këto akuza janë për ndonjë vend shumë larg Evropës, sepse e dinë që i tillë është skenari, e dinë që edhe pse e kanë mbushur kupën, nuk do t’i gjejë gjë. Pas kësaj forca në pushtet duhet t’i lerë radhën opozitës që të mbushë dhe ajo hambarët e saj. Bëhen zgjedhjet. Fiton opozita dhe populli pret të zbatohen premtimet e bëra në fushatë “me duar të pastra”. Pritet që hajdutët të përfundojnë atje ku u premtua. Kur, papritur, kryetari i opozitës, tani në pushtet, mohon gjithçka, duke i quajtur të gjitha akuzat si mjete të fushatës për pushtet; kurse ish-të akuzuarit, as nuk ofendohen, as që tremben dhe as e prishin terezinë. Kjo është loja e programuar. E organizuar nga struktura që në dukje qëndrojnë jashtë politikës, por komandojnë çdo qelizë të politikës. Një shembull që kaloi pa zhurmë në zgjedhjet e fundit: Si për “çudi”, PD fitoi në zonat rurale, në ato të ashtuquajturat “bastione socialiste”! Përse ndodhi kjo? Sepse duhej përfunduar “reforma “ në bujqësi, pra ligji antikombëtar 7501, të cilin e hartoi Ramiz Alia dhe e zbatoi Sali Berisha. Dhe tjetërsimi i Shqipërisë duhej çuar deri në fund. Socialistët për vete, nga ngarkesat morale dhe historike, e kishin të vështirë ta bënin atë; atëherë le ta bëjnë ata PD dhe PR që i kemi proklamuar si “aleatët e pronarëve”. Brendia komuniste dhe antidemokratike e Sali Berishës (PD), del e qartë dhe me deklaratën e Xhuvelit, që e quan partinë e tij të suksesshme, sepse ka realizuar objekte, qëndroi në aleancë me PD edhe në opozitë. Një deputet i PS, i cili për arsyen e të qenit pronar ka votuar në çdo rast kundër ligjeve që dëmtonin pronarët, më tha: “Ti e di që unë kam qenë i zgjedhur deputet në dy legjislatura?” E di, iu përgjigja. “Ti kujton se unë kam merita për këtë? Nuk kam asnjë. Zgjedhjen time e bënë disa struktura jashtë partisë, të cilave unë deri në këtë moment u duhesha për qëllimet e tyre, kurse tani atyre u duhen fëmijët e ish-ve për të konsoliduar pushtetin.”

Çdo njeri mund të pyesë: “Si ka mundësi që të ndodhin këto, kur jemi të monitoruar dhe kërkojmë të shkrihemi në strukturat euroatlantike?! A nuk shihen këto gjëra? Zonja Theçer thotë: “Liderët tradicionalë të shteteve perëndimorë kanë qenë të interesuar për ato konflikte në gjirin e shoqërive socialiste, që të mund të sillnin ndryshime të rreshtimeve strategjike”. Kështu, pas përmbysjes së komunizmit mund të bashkëpunonin me ish-komunistët, që, sipas zonjës Theçer, ishin më të përshtatshëm për pazarllëqe me liderët perëndimorë. Këtë Ramizi e dinte, kur pas prishjes me Kinën shprehej: “Nëse Evropa na do, le të na pranojë kështu siç jemi!”. Por kjo nuk do të ishte kaq e thjeshtë, se donte një strategji afatshkurtër e afatgjatë. Pra, sharje për komunizmin dhe thirrje rroftë për armikun e deriatëhershëm, (NATO-n). Duhen ushtarë për në Afganistan? Ja ku i keni, sa të doni! Po ashtu, në Irak? Merrini! Duhen baza për raketa? Urdhëroni e bëni çfarë të doni! Duhen burgje për terroristët? Ja ku i keni! Vetëm ne mos na ngisni! Na lini të pasurohemi me pronat e shtetit dhe ato të të shpronësuarve (“Na pranoni kështu siç jemi!”).

Por nuk mjafton me aq. “Çdo burrë blihet, - thotë Churchill, - por ama çdo burrë ka çmimin e tij.” Këtë e dinë mirë politikanët tanë dhe e kanë vënë në zbatim. Ata janë në gjendje të blejnë e të kompromentojnë çdo “burrë” që vjen në Shqipëri me çmimin që i takon! Paratë janë të pakontrolluara e pa limit, strukturat për këtë punojnë. Kompromentimi i këtyre institucioneve i bëjnë ato të heshtin dhe të dezinformojnë strukturat dhe opinionin ndërkombëtar. Metoda tjetër, e trashëguar nga e shkuara komuniste, por tani e ngritur në perfeksion nga strukturat që thamë, e amplifikuar nga mediet pro-qeveritare dhe institutet e statistikave, është përdorimi i Institucionit të Gënjeshtrës! Gënjeni vazhdimisht dhe për gjithçka! Jemi vend i parë: në reforma, në zhvillimin ekonomik, në këtë dhe në atë! Këto shumëfishohen dhe u bëhet jehonë nga shtypi. Opozita bën sikur proteston dhe karvani ecën përpara! Por këto opinioni ndërkombëtar nuk mund t’i gëlltisë vazhdimisht. Atëherë, që ndërkombëtarët të mos merren me problemet tona, që kërkojnë zgjidhje dhe janë të rëndësishme, o burra, ne vetë në bashkëpunim të krijojmë “konflikte” e “kriza” dhe t’i fryjmë ato në bashkëpunim me opozitën, të kacafytemi e të ankohemi te ndërkombëtarët, derisa të tërhiqet vëmendja e tyre! Këta, ndërkombëtarët, deri tani kanë rënë lehtësisht në këto kurthe. Janë shqetësuar dhe kanë ndërhyrë, të shqetësuar. Më pas vjen shkalla e dytë: kur “kriza” hyn në fazën më delikate, vjen zgjidhja (e parashikuar më parë deri në detaje nga të dy palët)! Arrihet konsensusi dhe ndërkombëtarët qetësohen. Pas këtij spektakli çdo ndërkombëtar kënaqet duke u vlerësuar për meritat.

Po japim vetëm dy shembuj të fundit: Kishim shqetësimin e të huajve për zgjedhjen e presidentit dhe ligjin për dosjet. E krijohet përshtypja sikur zgjedhja e presidentit apo ligji për dosjet janë problemet madhore! Harrohet se për 18 vjet me dashje nëpërkëmben problemet bazë që lidhen me të drejtat dhe liritë e njeriut, me zhvillimin ekonomik, siç është problemi i pronave, punësimi, pensionet, si edhe korrupsioni i shfrenuar e i paskrupullt që po lulëzon në vend. Pra, “Eureka”! Zgjidhja u gjet dhe kësaj radhe! Ndërkombëtarët e hëngrën. Tani le të kalojmë në zgjedhje, pa kontroll të listave, pa deklarim të shpenzimeve për fushatën, duke krijuar ndonjë incident të vogël. Do t’i shqetësojmë pak ndërkombëtaret, por çdo gjë shkon sipas skenarit. Fiton ai që ka radhën. “Votimet nuk i plotësojnë kushtet, por janë të pranueshme”, - do të thonë në fund ndërkombëtarët. Dhe vazhdon kjo “perpetum mobile”. Ndërkombëtarët janë të kënaqur, se pagesat që marrin në Shqipëri nuk mund t’i sigurojnë askund. Shqipëria po ecën përpara. Ashtu siç shkruante dhe Alfred Moisiu: “Shqipërisë i duhen dhe dy kalime të buta - (sipas strategjisë, A. S.) - që të bëhemi shtet demokratik”. Me fjalë të tjera, ish-komunistët të forcojnë plotësisht pozitat, me prona e pasuri, duke ruajtur pushtetin. Ngelet dhe faktori tjetër: Populli! Vërtet, çfarë bën ai? Unë nuk e bëj fajtor popullin e dalë nga diktatura më e egër, popull i trembur, i paushqyer, i shtypur. Në vend të besës, u stimulua tradhtia, spiunllëku, pasiguria. “Një popull që pret shpëtimin nga jashtë, është një popull i mjerë”. Shpëtimi erdhi nga jashtë. Edhe këtë e kishin parashikuar strukturat, kur hapën kufijtë dhe ambasadat. Valvulat e shfryrjes e bënë uljen e presionit. Pastaj, pjesa që nuk iku, taktikisht duhej lënë pa punë. I krijuan mundësinë të vjedhë e të lëpijë diçka, aq sa për të jetuar. Për dikë janë edhe tenderët dhe doganat. Njëri shmang taksat, tjetri ushtron mitmarrjen. Nëpërmjet Ligjit 7501 dhe komisioneve u inkurajua vjedhja e pronës së të tjerëve. Pushtetarët vidhnin me hektarë në trojet turistike, të tjerët me metra katrorë! U stimulua mbjellja e bimëve narkotike.” Objektivi i politikanëve tashmë është i njohur në publik: Të pasurohemi vetë, familjarët dhe miqtë tanë!

Vijmë te pyetja e fundit: A ka zgjidhje për shqiptarët?

Për mendimin tim zgjidhja do të vijë edhe nga jashtë, por duhet dhe krahu i brendshëm dhe sistemi reflekton mentalitetin dhe votën e popullit. Në këtë sistem legjislativ të proporcionalit të 28 qershorit 2009 populli duhet të thotë fjalën e tij në Tiranë, Durrës, Vlorë e kudo për planin e zhvillimit kombëtar. Populli me votë duhet të ndëshkojë politikën antipronar të realizuar nga drejtuesit e PD, PR dhe PS me aleatët e tyre. Populli do të votojë përfaqësuesit e shoqatës “Pronësi me Drejtësi” që kandidojnë me partinë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar që me siguri do të jenë e reja në këto zgjedhje. Kjo është rruga për të prishur skemat e projektuara nga Ramiz Alia që në këto 18 vjet tranzicion konvertoi diktaturën në anarki, komunistët në hajdutë të maskuar me xhaketa dhe parulla demokratike apo socialiste. Demokracia dhe liria e një vendi fillon me kthimin e pronës së grabitur tek i zoti, për të cilën shoqata “Pronësi me Drejtësi” po lufton me përkushtim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›