E Diel, 1 Nëntor 2026

Fushata elektorale, studentët indiferentë ndaj sajNga Bledar LumaniZgjedhjet e 28 qershorit janë në prag e megjithatë si rrallëherë në fushatat elektorale të pas-komunizmit, interesi dhe përfshirja e qytetarëve, sidomos të rinjve në të, janë minimalë

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Fushata elektorale, studentët indiferentë ndaj sajNga Bledar Lumani

Zgjedhjet e 28 qershorit janë në prag e megjithatë si rrallëherë në fushatat elektorale të pas-komunizmit, interesi dhe përfshirja e qytetarëve, sidomos të rinjve në të, janë minimalë. Edhe pse prej rreth dy javësh është çelur zyrtarisht fushata elektorale, atmosfera e saj në vend, veçanërisht në kryeqytet, pothuajse nuk ndihet fare. Për këtë mjafton të shohësh rrugët e këtij të fundit. Nëse në fushatat e mëparshme rrugët e Tiranës mbusheshin me postera të shumtë të kandidatëve për deputetë, këtë radhë ato numërohen me gishta. Madje, edhe ato pak postera që janë vendosur, gjenden në rrugët dhe lagjet më të humbura të kryeqytetit, a thua se janë vënë për të mos u parë nga qytetarët. Sakaq, mitingjet e organizuara nga ana e partive politike në kryeqytet kanë qenë gjithashtu të paktë, vetëm ato të hapjes së fushatës dhe prezantimit të kandidatëve për kryeqytetin. Për këtë arsye, e vetmja mundësi që qytetarët të dëgjojnë dhe njohin programin e partive dhe kandidatëve është media vizive dhe ajo e shkruar.

......

Ata që duket se janë më pak të interesuar për fushatën elektorale, janë të rinjtë. Studentët, të angazhuar me provimet e fundsezonit, shprehen se interesimi apo pjesëmarrja për mitingjet dhe veprimtaritë e partive politike në kuadër të zgjedhjeve të 28 qershorit, është një barrë e tepërt për ta. Por, nuk është vetëm kjo, pasi, sipas tyre, asnjë prej programeve të partive politike nuk i stimulon për t’u interesuar për fushatën elektorale. Arti Nurçe, student i gazetarisë, thotë se nuk është i interesuar për fushatën elektorale, madje as nuk do të votojë gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit. “Nuk kam qenë i interesuar për ecurinë e fushatës elektorale, pasi politika në vendin tonë është një demagogji e vërtetë, ku shumë flitet dhe premtohet, por shumë pak gjëra realizohen. Dhe për këtë arsye, edhe pse është hera e parë për mua që më jepet mundësia për të votuar, mendoj që të mos e shfrytëzoj këtë të drejtë. Kjo, edhe për faktin se për të votuar më duhet që të bëj një rrugë shumë të gjatë deri në qytetin tim, Përmet, për të votuar”, - thotë ai. Shqetësimin e Artit e kanë dhe shumë studentë të tjerë të rretheve, të cilët studiojnë në Tiranë. Ata thonë se largësia e qendrave të votimit të tyre do t’i detyrojë që të mos votojnë, ndërsa shprehen se zgjidhje e kësaj situate do të ishte ngritja e qendrave të votimit nëpër fakultete. “Saranda, qyteti ku unë kam emrin në listë për të votuar, është mbi shtatë orë larg. Nëse do të llogaris dhe kohën e kthimit, më vete një ditë vetëm udhëtim. Nuk mund të humbas gjithë këtë kohë, duke llogaritur edhe lodhjen, vetëm për të votuar, kur fare mirë për gjithë studentët që studiojnë në kryeqytet mund të ngriheshin qendra votimi nëpër fakultete”, - thotë Arditi, i cili studion histori në Fakultetin e Histori-Filologjisë në Tiranë. Edhe pse shumë studentë të rretheve shprehen se nuk do të shkojnë të votojnë, ata thonë se përfaqësues të partive politike u kanë ofruar atyre heqjen e shpenzimeve të udhëtimeve, vetëm që të shkojnë të votojnë. “Në zgjedhjet vendore të vitit 2007, njerëz që merreshin me fushatën e kandidatëve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për Bashkinë e Përmetit, më ofruan lekët e udhëtimit, si dhe 30 mijë lekë të vjetra, vetëm që të shkoja të votoja për partinë e tyre. Edhe pse do të shkoja të votoja, vetëm nga ky fakt nuk shkova”, - thotë Amarildo Ferhati nga Përmeti. Si ai ka dhe shumë studentë të tjerë, mes të cilëve edhe autori i këtij shkrimi, që u janë ofruar lekë dhe shpenzimet e udhëtimit për të votuar në zgjedhjet vendore 2007, gjë që në fakt, edhe pse më pak, pasi data e zgjedhjeve nuk ka afruar, po ndodh edhe me zgjedhjet parlamentare.

.....

Në prezantimin e kandidatëve gjatë fillimit të fushatës elektorale nga ana e dy partive kryesore, PD dhe PS, një numër i madh prej tyre i përkisnin të rinjve, të cilët më së shumti kishin mbaruar studimet nëpër universitetet perëndimore. Duket se ky fakt, mbarimi i studimeve jashtë shtetit, është kthyer në një kusht të rëndësishëm, madje dhe të domosdoshëm për t’u përfshirë në politikë. Kjo gjë pohohet edhe nga ana e studentëve të Shkencave Politike në Tiranë, të cilët shprehen pesimistë për përfshirjen e tyre në politikë, edhe pse po studiojnë për këtë fushë. Erald Dono, student i vitit të tretë në Shkencat Politike, shprehet se, “gjatë viteve të fundit, por sidomos gjatë zgjedhjeve parlamentare të këtij viti, në politikë janë përfshirë një numër i madh të rinjsh. Madje, shumë prej tyre janë propozuar edhe në listat e kandidatëve për deputetë. Nga të gjithë këta, pjesa më e madhe prej tyre kanë mbaruar studimet jashtë shtetit, gjë që në fakt nuk është negative, por që nga ana tjetër të rinjtë që studiojnë në Shqipëri ndihen paksa të lënë pas dore nga ana e politikës, madje inferiorë në krahasim me të rinjtë që mbarojnë studimet jashtë shtetit. Nuk kam asgjë më të rinjtë që mbarojnë studimet jashtë shtetit, por fakti që ata mbarojnë studimet jashtë shtetit nuk do të thotë që ata janë më të aftë dhe të zotë se të rinjtë që studiojnë në Shqipëri”, - shprehet Eraldi gjatë fjalës së tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›