E Diel, 1 Nëntor 2026

Flamuri shpjegon si po ndryshon ShqipëriaNga Antena brenda familjesFlamuri si gjithnjë është në merak, se ai burri ka marrë kot. Vrapon nga fshati në fshat dhe vetëm bërtet e çirret e thotë në çdo vend të njëjtat fjalë, i ka bërë fjalimet si ato fest

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Flamuri shpjegon si po ndryshon ShqipëriaNga Antena brenda familjes

Flamuri si gjithnjë është në merak, se ai burri ka marrë kot. Vrapon nga fshati në fshat dhe vetëm bërtet e çirret e thotë në çdo vend të njëjtat fjalë, i ka bërë fjalimet si ato festivalet e shpifura, ku këngëtarët nuk këndojnë, por futin kasetën dhe vetëm lëvizin buzët.

Iu mori frymën bodyguard-ëve e ushtarëve, sa nuk arrijnë as të zhveshin këpucët, se i nis nga veriu në jug.

Po sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, ka filluar dhe të rëndohet nga sjellja. Bëhet kot nevrik, ulërin pa kuptim, s’e merr vesh, kur është shi e kur është diell.

Herën e fundit që u nevrikos e u bë si i tërbuar qe me kokën e shqiponjës, që ka në podium e që në ca reklama qe e prerë nga pakujdesia.

I bërtiti Flamurit me sa i hante fyti, por ky s’bëri zë, se kishte fituar goxha lekë me porosinë e asaj reklame dhe ia vlenin dhe ca muaj burg për aq pará, e jo më një e bërtitur.

Duke e kuptuar gjendjen e tij të rënduar psikologjike Flamuri është angazhuar i tëri për të mos i dhënë shkas të nxehet e të marrë kot, siç bën jo rrallë këto kohë.

Mundohet t’ia përgatisë gjërat siç i pëlqejnë atij.

Shkon një ditë më parë atje ku do mbajë fjalim ai burri dhe përgatit terrenin që atij t’i duket sikur e duan të gjithë. Cakton njerëzit që do hedhin parulla për NATO-n, cakton njerëzit që do thërrasin “Poshtë Edi Rama!” dhe cakton edhe fëmijët që do ia bëjnë auuuuu dhe do këndojnë bashkë me atë burrin, që ai të mos duket aq arkaik sa është, por pak më trendy.

Bela e madhe e gjen këtej nga veriu, ku e njohin e s’e marrin seriozisht, por prapë e ka gjetur, ka nisur të modifikojë sjelljen e të mbahet si njeri i rëndësishëm, se helbete do jetë deputet për 20 ditë.

Por më shumë nga të gjitha e bezdisin pyetjet mbi premtimet e atij burrit, të cilat s’para i shkoqit dot, por që edhe s’kanë logjikë të shumtën e herëve.

Kështu i ndodhi herën e fundit në një rreth të veriut. Hyri në klub e për të zbutur situatën i tha banakierit:

- Jepu kafe e raki të gjithëve nga unë.

- Me ç’rast more Feim? - e pyeti njëri.

- Po ja, meqë Shqipëria po ndryshon mixhë apo s’je dakord?

- Dakord mor jam, po ndryshon, po s’e di në ndryshon për mirë a për keq, po, as më thua, se ti je afër atij burrit, si do më bëjë mua fermer evropian, se s’e kam kuptuar dot mor Feim djali?

- Po ja, - u përtyp Flamuri, - s’do jesh më bujk si deri më sot, po do bëhesh fermer. Ti prapë do punosh arën e do ruash bagëtitë, por vetëm emri do ndryshojë, do ta kesh fermer.

Edhe patates s’do t’i thuash më patate, por petejtus, si anglez. Ja, do bëhesh fermer me gjëra ku di unë, se ai burri i di më mirë.

- Ashtu ë, po në Evropë do më çojë këtë mandatin tjetër thua ti Feim?

- Këtu të dal unë garant. Mandatin tjetër ai burri të çon në Evropë, nuk premton kot, është burri i fjalës së mbajtur, s’e ke dëgjuar.

E pa që ai po përtypej dhe e pyeti:

- S’beson? Të dal unë garant. Të më pështysh, po s’qe kështu.

- Jo mor për të pështyrë më vjen të pështyj që sot unë, po thashë, ky e bën që e bën, më çon në Evropë, pse s’më çon në Kanada, se kam dhe djalin atje, me dokumente, se s’humbet gjë.

Flamuri e pa që po e vinin në lojë dhe s’po e merrnin seriozisht dhe iku andej nga shkolla me mendjen të organizojë një grup me nxënës e t’iu mësojë dhe himnin e fushatës, “Shqipëria po ndryshon”, që ta këndojnë, kur të vijë ai burri e t’i bëhet qejfi.

I pyeti nxënësit:

- Kush do të vijë në takim me atë burrin?

Por atyre as ua ndjente për të, ndaj ua ktheu ndryshe.

- Kush do vijë të shohë Çiljetën nesër?

- Unë xhaxhi Feim, unë, unë... Dolën gjithë djemtë e klasës.

- Po Bojkenin dhe ata djemtë nga Maqedonia?

- Unë xhaxhi Feim, unë, unë... të gjitha vajzat e klasës.

- Shumë mirë, - tha. - Nesër do t’ju marr me autobus t’ju çoj në qendër. Por të gjithë do të mësoni këtë këngën e re “Shqipëria po ndryshon/ është një rrugë që na bashkon” dhe nesër, kur të fërkoj unë faqen e majtë, ju do t’ia bëni uuuuu, kur të fërkoj faqen e djathtë, do filloni menjëherë këngën. E kuptuat?

- Po xhaxhi Feim, si te xha Sulo te filmi “Kapedani” që shkulte mustaqet. Po ti, meqë s’ke mustaqe, shkul faqet.

Të nesërmen në miting, pasi kishin kënduar gjithë rrugës në autobus, nxënësit nuk kishin më zë dhe qenë bërë telef.

Mbaroi ai burri dhe Flamuri nduku faqen e majtë, u dëgjuan vetëm nja dy uuu të mekura që s’ia mbushën mendjen. Tërhoqi faqen e djathtë që ata të fillonin këngën e fushatës dhe ata filluan si për inerci këngën që kishin kënduar tërë rrugës.

Me timon pa timon

Shoferi ynë fluturon

Shqipëria po ndryshon…

Ai burri u nxi dhe Flamuri u fsheh, sa t’i shkonte tërbimi. Duke ikur tha me vete, pizevengët, dhe këta e kanë kuptuar që ai burri ka marrë kot e s’ka as frena e as timon!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›