E Diel, 1 Nëntor 2026

Balancohet kryeministriNga Leonard Kerquki, Gazeta “Express”Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shtruar një darkë për kryetarin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, të mërkurën në qytetin e Prizrenit, pa ndonjë ceremoni zyrtare dhe me p

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Balancohet kryeministriNga Leonard Kerquki, Gazeta “Express”

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shtruar një darkë për kryetarin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, të mërkurën në qytetin e Prizrenit, pa ndonjë ceremoni zyrtare dhe me pak media.

Gjithçka është pretenduar të mbetet në suaza të një takimi miqësor.

Darka ka përfunduar në mesnatë, ndërsa dy liderët kanë dhënë deklarata për gazetarët, ku në qendër kanë qenë zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri dhe përvjetori i 131 i Lidhjes shqiptare të Prizrenit.

Takimi mes kryeministrit të Kosovës dhe liderit të së majtës së Shqipërisë ndodhi vetëm disa ditë pasi Hashim Thaçi u shfaq në tunelin e Kalimashit duke përqafuar homologun e tij, Sali Berisha.

Atë ditë, kryeministri i Shqipërisë kishte mbushur Bjeshkët me flamujt e PD dhe prania e Thaçit në ceremoni mund të shihej se interferim edhe në zgjedhjet e 28 qershorit. Por kryeministri aktual i Kosovës - i cili konsiderohet si i afërt me të majtën shqiptare - duket se ka provuar të balancojë situatën, të mërkurën.

Zyrtarisht, kryeministri Thaçi ka dhënë një version tjetër.

“Ne kishim një darkë prej miqsh këtu në Prizren. Është mirë që është krijuar kjo mundësi e lëvizjeve të shpejta nga Tirana në Prizren, prej Prizreni në Tiranë e në Durrës”, - ka thënë Thaçi, para gazetarëve.

Kryeministri ka çmuar rolin e Ramës në politikë.

“Kisha kënaqësinë ta pres për darkë Edi Ramën, njeriun që e ka ndryshuar Tiranën për të mirë. Tash, edhe kandidat për kryeministër të Shqipërisë”, - ka thënë Thaçi.

Sipas tij, në fokus të takimit kanë qenë zhvillimet e përgjithshme në Kosovë dhe Shqipëri dhe vizioni i dy vendeve për t’u inkuadruar në Bashkimin Evropian.

“Ishte kënaqësi për mua që të diskutonim për ndryshimet në Shqipëri, për zhvillimet në Kosovë, për të ardhmen euroatlantike të dy vendeve tona, për vizionet tona për të ardhmen, për bashkëpunimin tonë të shumanshëm...”, - ka thënë Thaçi.

Ngjashëm është shprehur edhe lideri i socialistëve shqiptarë.

“Ishte një darkë miqësore, që sigurisht kishte të bënte me të ardhmen. Por takimi ndodhi në një ditë të shënuar, jo vetëm si përvjetor i Lidhjes së Prizrenit, por edhe si dita që shënon 10 vjet nga eksodi i vitit 1999”, - ka thënë Rama.

“Dhjetë vjet më parë historia na vendosi përpara një momenti dramatik, i paharrueshëm, por edhe fillimi i fundit i skllavërisë dhe i rrugës së lirisë. Ndërkohë, jam i bindur se dhjetë vjet më vonë, ne do të jemi një vend, në të njëjtin qiell, në Bashkimin Evropian”, - ka shtuar ai.

Kryeministri i Kosovës më pas ka mohuar të ketë tendenca për të interferuar në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë, që zhvillohen në fund të këtij muaji.

“Unë kam bashkëpunim me gjithë lidershipin e Tiranës. Falënderoj të gjithë për kontributin e dhënë për Kosovën. Unë çmoj angazhimeve e reja, veprimet e reja, angazhimet për ardhmen”, - ka thënë Thaçi.

“Unë do të komunikoj me të gjithë, ndërsa në Shqipëri vendosin qytetarët e atjeshëm se kush do të jetë kryeministër, kush do t’i fitojë zgjedhjet. Me siguri që do të fitojë vizioni për të ardhmen, vizioni për Shqipërinë evropiane”.

Edi Rama, nga ana e tij, ka çmuar rolin e kryeministrit të Kosovës.

“Unë e kam pasur gjithmonë mbështetjen e kryeministrit tuaj, si mbështetjen e një miku, i cili është një mik i mirë i imi, ashtu sikurse është mik i shumë të tjerëve në Shqipëri”, - ka thënë Rama.

Më pas, ai ka lavdëruar Thaçin.

“Kryeministri Thaçi në mënyrën më absolute është një pikë referimi për të gjithë ne që jemi në Tiranë, qofshim në njërin krah, qofshim në tjetrin krah, si njeriu, i cili ka, jo vetëm një rol historik për Kosovën, por edhe i cili sot udhëheq Kosovën”, - ka thënë lideri i PS.

“Por e përsëris që ky takim, që nuk është i vetmi, nuk është domosdoshmërish i lidhur me këtë moment politik në Shqipëri. Por është një nga takimet tona për të biseduar, për të dëgjuar njëri-tjetrin, për të mësuar nga njëri-tjetri. Për të mësuar se çfarë gjërash mund të bëjmë së bashku për të mirën e Shqipërisë dhe Kosovës”.

Për vite të tëra mes Kosovës dhe Shqipërisë ishin krijuar skema të ndryshme të funksionimit ndërpartiak. LDK ishte e afërt me PD, PDK është konsideruar e afërt me PS.

Ngjashëm kanë funksionuar edhe skemat mes partive të Kosovës dhe Shqipërisë me ato të shqiptarëve në Maqedoni apo në Mal të Zi.

Të mërkurën në Prizren, kryeministri Thaçi ka thënë se këto skema tashmë janë thyer.

“Unë dua të potencoj edhe diçka”, - ka thënë ai para gazetarëve.

“Definitivisht besoj fuqishëm se ka marrë fund ndërtimi i skemave të funksionimit në kuptimin partiak shqiptar. E them këtë, për arsye se ne nuk kemi nevojë të ngarkohemi me çështje ideologjike, por për të ndryshuar jetën e njerëzve. Partia ime në Kosovë është Kosova. Shpirti im, mendja, aspirata në Shqipëri është Shqipëria. Besoj se ky është edhe vizioni i z. Rama”, - ka thënë Thaçi.

Me të përfunduar konferenca, një burrë iu afrua liderit të PS duke i dhënë një qeleshe me emblemën e UÇK.

“Faleminderit shumë, por ky kapuç është i vogël për kokën time”, - ka thënë Rama.

Më pas Thaçi dhe Rama kanë kaluar përmes pjesës më të frekuentuar të qytetit të Prizrenit, Te Shatërvani.

Nga kafenetë, një grup të rinjsh, kur kanë parë Edi Ramën, kanë bërtitur me zë: “Edi, duam fitore!”

S’ka dyshim se kjo është edhe dëshira e Edi Ramës. Fitorja.

Lideri i PS në Prizren ka ardhur nga Kukësi, ku ka mbajtur një tubim elektoral. Të mërkurën, ai e ka kaluar natën në Prizren, derisa në mëngjes është nisur për në Dibër, ku ka vazhduar fushatën e tij për zgjedhjet e 28 qershorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›