E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushë-Arrëz, makina del nga rruga, 2 të plagosur

Automjeti tip Opel teksa po udhëtonte në drejtim të Pukës ka devijuar nga rruga duke u përplasur me një mur aty pranë. Për pasojë ka mbetur i plagosur drejtuesi i autoveturës dhe një person tjetër që udhëtonte me të. 

FUSHE-ARRËZ- Një aksident është shënuar në të dalë të qytetit të Fushë-Arrëzit. Automjeti tip Opel me targa EL 9206 A teksa po udhëtonte në drejtim të Pukës ka devijuar nga rruga duke u përplasur me murin aty pranë.
Si pasojë e këtij aksidenti ka mbetur i plagosur drejtuesi i mjetit Ardian Jonuzi 34 vjec dhe shtetasi Palush Tuci. Dy të plagosurit pasi morën ndihmën e parë në spitalin e Fushë-Arrëzit janë transportuar në spitalin e Pukës për një trajtim më të specifikuar.
Burime pranë këtij spitali bëjnë me dije se dy të aksidentuarit janë jashtë rrezikut për jetën. Policia e Pukës e cila ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes ka arritur në konkluzionin se shkak i këtij aksidenti ka qënë gjendja e dehur e drejtuesit të mjetit, ndërkohë është vërejtur se edhe mjeti nuk ka qënë në parametrat e duhur teknik. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›