E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjekët: Jo Tamiflu fëmijëve, i përkeqëson

Mjekët këshillojnë që në raste kur do të ketë fëmijë të vegjël të prekur nga virusi i gripit pandemik, mund të përdoren mjekime suportive në varësi të simptomave që ka secili prej pacientëve të vegjël 

TIRANE-Vaksina e Tamiflusë nuk mund të përdoret tek të vegjlit që janë të prekur nga virusi i gripit të derrit. Sipas mjekëve specialistë, është vërtetuar se përdorimi i saj në moshat pediatrike jep shumë efekte anësore dhe rëndon më shumë gjendjen shëndetësore të tyre se sa vetë virusi. Mjekët këshillojnë që në raste kur do të ketë fëmijë të vegjël të prekur nga virusi i gripit pandemik, mund të përdoren mjekime suportive në varësi të simptomave që ka secili prej pacientëve të vegjël. Ndërkohë që Instituti i Shëndetit Publik ka nxjerrë edhe buletinin e 6-të për situatën e virusit A/H1N1 që po kalon vendi ynë, e cila sipas ISHP-së, është normale. Në këtë buletin, Instituti konfirmon se të 12 rastet e konfirmuara tashmë janë të shëruar. 3 prej rasteve janë marinarë të huaj, 6 raste janë të lidhura me udhëtimin e tyre kryesisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe 3 raste që nuk është raportuar lidhje epidemiologjike që të faktojë rrugën e infektimit. Të gjitha rastet paraqitën kuadër klinik të lehtë. Shenjat e shfaqura ishin temp 38 0C, dhimbje koke, dhimbje fyti, kollë, dhimbje muskulare dhe lodhje. Nga rastet e konfirmuara ka pasur vetëm 4 raste të shtruara për një kohë të shkurtër. Sot konsiderohen të gjithë të shëruar, ndërsa është përdorur mjekimi specifik me tamiflu në më pak se gjysma e rasteve të konfirmuara. 4 raste ishin të grupmoshave 15-24 vjeç, 7 të tjerë 25 - 44 vjeç dhe vetëm 1 rast i grupmoshës 45-59 vjeç. Çdo ditë në ISHP përpunohen mostra të rasteve të dyshuara nga Tirana dhe rrethet e tjera të vendit. Laboratori i virologjisë në ISHP është pjesë e rrjetit europian të survejancës së gripit dhe raporton çdo javë pranë këtij rrjeti.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›