Fushë-Kruja, qyteti shqiptar që pikëllohet për largimin e Bushit
FUSHË-KRUJË – Në kafenenë “Xhorxh W. Bush”, në këtë qytet të vogël shqiptar, pronari Festim Çela të jep një përgjigje solemne kur e pyet nëse do ta ndryshojë emrin e lokalit kur presidenti amerikan të largohet nga detyra e tij ditën e martë. Shumë larg, në Shtetet e Bashkuara, duket se mirëpritet fundi i presidencës “Bush”, por me pasionin e shqiptarit proamerikan, ai e sheh atë si një hero. “Sa kohë që të jetë në këmbë kjo ndërtesë, do të ketë emrin e Xhorxh Bushit”, - thotë Çela, teksa sheh në televizion pamjet e fjalimit të lamtumirës së Bushit këtë javë, para se t’ia lërë vendin pasuesit të tij, Barak Obama. Poshtë televizionit është një tavolinë ku Bushi u ul të diskutonte rreth programit amerikan të mikrokredisë me një furrtar, berber, rrobaqepës, apo çoban, kur vizitoi Fushë-Krujën më 10 qershor të vitit 2007. Karriget mbajnë një pllakëz të kuqërremtë, me emrat e Bushit dhe bashkëshortes së tij, Laura. Njerëzit në Fushë-Krujë thonë se e kujtojnë të gjallë vizitën e tij; valëzimet dhe shtrirjet e krahëve, ecjen joprotokollare të Bushit në rrugën kryesore, nga kafja e Çelës te furra e bukës së Klarita Topit, ku fotografitë e vizitës së tij varen nëpër mure. “Ardhja e tij ishte një urim i madh për popullin e Fushë-Krujës, për punët tona dhe të të gjithë Shqipërinë”, - thotë Topi. “Ajo ishte një ditë e madhe gëzimi. Ai na futi në NATO, na bëri të njohur para botës dhe çdo gjë ka ecur mirë për ne”.
Furra e Topit dhe kafja e Çelës janë shndërruar në pika të gjalla referimi për shqiptarët dhe të huajt që shohin vendet e vizituara nga Bushi. Topi, e cila mori një kredi përmes programit amerikan, thotë se emigrantë shqiptarë, kur janë kthyer në vendlindje, kanë ardhur për të parë dyqanin. Turistë italianë kanë pasur synim që përmes fotove të mashtrojnë. “Presidenti Bush erdhi në Fushë-Krujë bashkë me pavarësinë e Kosovës. Ky është një borxh i madh, të cilin nuk mund t’ia kthejmë kurrë. Faleminderit SHBA!” - shkruan në librin e shënimeve që ndodhet në lokalin e Çelës, në mes të flamujve shqiptar, amerikan dhe të Bashkimit Europian, Rasim Qorraj nga Deçani i Kosovës.
Shqipëria, dikur një shtet i izoluar, ka lulëzuar që prej rënies së komunizmit në vitin 1990 dhe tani ka përqafuar të gjitha gjërat perëndimore.
Populli i saj ushqen një afeksion të veçantë për Shtetet e Bashkuara, të cilin ata ia atribuojnë jo vetëm dhënies fund të izolimit të Luftës së Ftohtë, por gjithashtu, për drejtimin e NATO-s në vitin 1999 që i shpëtoi shqiptarët e Kosovës fqinje nga spastrimi etnik i Serbisë.
“Faleminderit, Zoti Bush! Faleminderit SHBA! Zoti e bekoftë miqësinë me Shteteve të Bashkuara! (Gjithmonë e vërtetë)”, - shkruan Agim Gashi. Bushi mbështeti pavarësinë e Kosovës gjatë vizitës së tij dhe kërkoi që shqiptarët e Kosovës të jenë të duruar. Shtetet e Bashkuara ishin të parat që njohën pavarësinë e Kosovës në shkurt të vitit 2008. Gjithashtu, vizita e Bushit la gjurmë edhe nga informacionet për humbjen apo vjedhjen e orës së dorës së Bushit, por pamjet televizive treguan se ai ia kishte dhënë njërit prej truprojave. “Unë i uroj atij një tjetër mandat”, - thotë Çela. Bushi, presidenti i parë amerikan që vizitoi shtetin ish-komunist, hyri mes turmës së madhe të fansave shqiptarë që po e prisnin dhe iu gëzua pritjes prej rrok-stari.
Ndërsa takonte grumbullin e njerëzve, Bushi ndaloi dhe përqafoi 70-vjeçaren Thomaidha Kaziu. “Unë u shokova nga emocioni. Ishte një popull i tërë prapa meje që dëshironte ta takonte. Unë kujtoj se ai më tha se unë i ngjaja motrës së tij. Ishte një ditë e madhe për mua”, - thotë Kaziu.
Benet Koleka
Shkrimi është marrë nga “Reuters”
19 Janar 2009