E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë prioritetet kryesore të programit zgjedhor dhe qeverisës të PS-së



Pesë do të jenë prioritetet kryesore në programin elektoral dhe qeverisës të Partisë Socialiste gjatë fushatës zgjedhore dhe gjatë zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Por dy prioritetet më të rëndësishme të selisë rozë në programin e saj janë zhvillimi i bujqësisë dhe arsimit, fusha në të cilat Partia Socialiste ka përqendruar më shumë aktivitetin dhe angazhimin e saj përpara shqiptarëve gjatë të paktën dy viteve të fundit. Më pas, lista e prioriteteve vijon me shëndetësinë, luftën kundër varfërisë, forcimin dhe përmirësimin e funksionimit të sistemit fiskal. Pikërisht duke u bazuar në këto çështje jetike dhe duke ofruar zgjidhje për to, Partia Socialiste do të përqendrojë jo vetëm fushatën elektorale, por edhe kapacitetet e saj qeverisëse në rast se do të arrijë të fitojë zgjedhjet e ardhshme.

Bujqësia dhe Arsimi
Zhvillimi i bujqësisë duket se do të jetë prioriteri kryesor i Partisë Socialiste. Këtij sektori, prej të paktën dy vjetësh, po i kushton një rëndësi shumë të veçantë vetë lideri i PS-së, Edi Rama, i cili ka zhvilluar turin “Dialog me Shqipërinë” duke vizituar fshatra të shumta të vendit për t’u njohur detajisht me të gjitha problemet në bujqësi. Faza e dytë e turit të Ramës gjatë "Dialogut me Shqipërinë" ka patur si qëllim kryesor pikërisht përgatitjen e programit të qeverisjes së mundshme të socialistëve. Edhe arsimi do të jetë një tjetër prioritet i rëndësishëm i socialistëve, të cilët vazhdimisht kanë shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me gjendjen aktuale të këtij sektori.

Programi

Programi elektoral dhe qeverisës i Partisë Socialiste është cilësuar nga hartuesit e tij si më i veçanti në krahasim me programet e partive të tjera politike. Ky program prej 500 faqesh kompjuterike prek dhe ofron zgjidhje për të gjitha problemet që shqetësojnë sot shqiptarët. Për hartimin e këtij programi janë zhvilluar konsulta dhe janë marrë këshilla edhe nga përfaqësues të ndryshëm ndërkombëtarë. Programi është prezantuar përpara ndërkombëtarëve nga kreu i PS-së, Edi Rama, gjatë vizitave që ai ka zhvilluar në kryeqytete të ndryshme europiane, si në Bruksel, Romë, Berlin etj. Programi qeverisës i PS-së mori një mbështetje të madhe nga dy ish-kryeministrat italianë, D’Alema dhe Amato, të cilët u njohën me të pas prezantimit të bërë nga kreu i PS-së Edi Rama. “Ky program do të sjellë pikërisht një administratë që funksionon, që nuk bën dallimin mes qytetarëve që nuk i njeh dhe që i trajton të gjithë në të njëjtën mënyrë të njohur nga ligji. Do të ketë një sistem shëndetësor, i cili do të mund të mbulojë nevojat më të rëndësishme për të gjithë dhe mbi të gjitha do të ketë një program asistence sociale, i cili nuk do të hedhë lekët duke asistuar ata që nuk kanë nevojë, por do t’ia japë atyre që kanë nevojë dhe do të ketë gjithashtu infrastrukturën e nevojshme, në mënyrë që të ketë atë proces rritjeje të fortë”, - do të deklaronte ish-kryeministri italian Amato për programin qeverisës të Partisë Socialiste.

PS: Qeveria po grabit shqiptarët me faturat abuzive të energjisë

Partia Socialiste akuzon qeverinë për grabitje të parave të shqiptarëve, duke denoncuar faturat abuzive të OSSH-së për energjinë elektrike. Nënsekretari për Programin në Partinë Socialiste, Ilir Beqja, tha se qytetarët shqiptarë po grabiten nga OSSH-ja dhe nga ana e qeverisë me anë të faturave abuzive për energjinë. Duke publikuar edhe faturat e muajit dhjetor, Beqja tha se periudha e faturimit është bërë për 43 ditë, me qëllim për të çuar në mbi 300 kilovat sasinë e energjisë së shpenzuar, duke i detyruar shqiptarët ta paguajnë dyfish çmimin e energjisë.
“Në muajin dhjetor, OSSH-ja e thelloi grabitjen. Sipas faturave të muajit dhjetor, periudha e faturimit nuk është 31 ditë, por 43 ditë, duke rritur në mënyrë abuzive pjesën e konsumit mujor mbi 300 kilovat. Kjo grabitje sistematike është shprehje e qartë e sjelljes korruptive dhe abuzive, që qeveria e kryeministrit Berisha ka instaluar këta 42 muaj”, - tha Beqja. Ai akuzoi kryeministrin Berisha se nuk mbajti premtimet e tij përpara shqiptarëve për çështjen e energjisë elektrike. “Sali Berisha premtoi furnizim pa ndërprerje të energjisë elektrike dhe pas 42 muajsh qe i paaftë ta përmbushë këtë angazhim. Sali Berisha premtoi përfundim të faturimit aforfe të energjisë elektrike dhe pas 42 muajsh qe i paaftë ta përmbushë këtë angazhim. Dhe si të mos mjaftonin telashet që kanë shqiptarët në furnzimin me energji elektrike, qeveria e Sali Berishës nëpërmjet mashës OSSH grabit sistematikisht buxhetet familjare shqiptare me faturat e energjisë elektrike”, - tha nënsekretari për Programin në PS, Ilir Beqja.

19 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›