E Shtunë, 31 Tetor 2026

FDE organizon Marshimin e Paqes: 17 janari, dita e lutjes kombëtare



Forumi për Demokraci dhe Etikë organizoi dje në Tiranë Marshimin e Paqes, ku qytetarë dhe politikanë deklaruan solemnisht përgjegjësinë morale dhe publike duke e shpallur 17 janarin Ditë Lutjeje dhe Reflektimi Kombëtar. Marshimi i Paqes u zhvillua duke u nisur nga sheshi “Skënderbej”, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” drejt sheshit “Nënë Tereza”. Në memorialin e Nënë Terezës, pasi u ndezën qirinj në përkujtim të kësaj dite, drejtori Ekzekutiv i FDE-së, Arjan Galdini, tha se “politika mori vendimin që ta vendosë qytetarin si autoritetin suprem për të cilin ajo do të marrë vendimet, ajo e pranoi këtë ditë si një datë jo pushteti, si një ditë ku nderojmë të gjithë së bashku Zotin, qytetarin, Nënë Terezën, Skënderbeun, që kanë bërë shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët”. Më tej ai shtoi se në një ditë si ajo e djeshmja qytetarët shqiptarë duhet të ngrenë lart modelet si duhet të jenë. “Ne realisht projektojmë një të ardhme ndryshe, të një qytetari që e meriton të integrohet në Bashkimin Europian”, - është shprehur Galdini, ndërkohë që theksoi se Marshimi i Paqes do të bëhet një ritual i përvitshëm çdo 17 janar.

Berisha merr letër urimi nga kryeministri indian

Kryeministri indian, Manmohan Singh, përmes një letre drejtuar kryeministrit shqiptar Sali Berisha, shpreh kënaqësinë për marrëdhëniet në rritje mes Indisë dhe Shqipërisë, si dhe për thellimin e tyre pas hapjes në Nju Delhi të misionit diplomatik shqiptar. Në letrën e tij kryeministri i Indisë, Manmohan Singh, shpreh vlerësimet e tij më të larta për figurën e Nënë Terezës, figurë e cila vazhdon të jetë një simbol i fuqishëm i lidhjes mes dy vendeve. “Nënë Tereza, e cila ishte e etnisë shqiptare, si dhe një shtetase indiane, solli lavdi tek ne përmes punës së saj vetëmohuese. Ajo vazhdon të jetë një simbol i fuqishëm i lidhjeve mes dy vendeve tona. Unë gjithashtu shfrytëzoj këtë rast për t’u falënderuar Ju për ftesën tuaj të ngrohtë për të vizituar Shqipërinë. E çmoj këtë si një nder të madh për Indinë”, - është shprehur kryeministri i Indisë.

19 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›