Zgjedhjet në PD, kryetari i Tiranës zgjidhet në fund të shkurtit
Megjithëse ende nuk ka një vendim të Kryesisë qendrore, e cila ka muaj që nuk mblidhet, burime nga PD-ja bëjnë të ditur se kryetari i ri i PD-së së Tiranës pritet të zgjidhet në fund të muajit shkurt. Deri tani në kryeqytet janë zhvilluar zgjedhjet në gjysmën e seksioneve të PD-së së Tiranës dhe për një periudhë njëmujore pritet të përfundojë i gjithë procesi zgjedhor në seksione. Me përfundimin e këtij procesi pritet të mblidhet Kuvendi i degës, në të cilin delegatët e seksioneve do të votojnë për kryetarin e ri të PD-së. Por më parë anëtarët e PD-së dhe kandidatët në proces janë në pritje të zhvillimit të një mbledhjeje të Kryesisë qendrore të partisë. Kjo e fundit duhet të përcaktojë mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve për kryetarin e degës. Megjithëse procedura është përcaktuar, në status mbeten ende disa pika për t’u qartësuar, siç është mënyra e përzgjedhjes së delegatëve, të cilët do të votojnë për kryetarin e ri dhe numri i tyre. Po kështu duhet të miratohet dhe një kalendar pune me datat për zhvillimin e zgjedhjeve në të gjitha degët e PD-së në rrethe. Kandidatët e PD-së për degën e Tiranës shprehen se procesi zgjedhor është i vonuar dhe duhet medoemos të mbyllet brenda muajit shkurt në mënyrë që struktura të përgatitet për fushatën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Kandidatët
Gjatë emisionit “Ora e debatit” të gazetarit Alfred Peza, kandidatët më të spikatur për PD-në e Tiranës kanë shprehur besimin në fitoren e tyre, kanë treguar epërsitë që kanë ndaj rivalëve dhe objektivat që kërkojnë të arrijnë me marrjen e postit të kryetarit të degës më të madhe të PD-së. Besnik Mustafaj deklaroi se kandidon për kryetarin e PD-së për Tiranën pasi ka ndërtuar një karrierë që ka të bëjë me marrëdhëniet me jashtë dhe asnjëherë nuk është provuar përtej kësaj hapësire ndaj duhet ta provonte këtë sfidë. “Mendoj se kam profilin e duhur për të drejtuar PD-në”, - u shpreh ai. Mustafaj theksoi se ai ka një platformë për të drejtuar PD-në e Tiranës dhe si pikën më të rëndësishme të kësaj platforme ai veçoi sigurimin e ekuilibrit mes brezave në këtë parti. “Një pjesë e anëtarëve të PD-së janë të zemëruar sepse nuk ndihen pjesë e PD-së, ndihen të shpërfillur”, - tha Mustafaj.
Gjergj Bojaxhi, aktualisht drejtori i KESH-it, deklaroi se kandidon për kryetarin e PD-së së Tiranës pasi ka kritere politike që të jetë pjesë e kandidatëve. Ai shtoi se nëse do të fitonte këtë garë, do të vlerësonte kontributin e padiskutueshëm të Berishës në fitoren e tij. Bojaxhi u shpreh se do të donte që në listën e PD-së si kandidat për Tiranën të kishte persona që plotësojnë kriteret. “Nuk po garoj për të qenë më vonë pjesë e kandidatëve për deputetë në PD, por gjykoj se me energjitë që kam mund ta vitalizoj degën e PD-së. Mendoj se Parlamenti është më shumë për pensionistët. Ofroj profesionalizëm dhe integritet. Unë do të punoj në PD dhe nuk do të vjedh”, - theksoi Bojaxhi.
“Karriera ime politika ka më shumë se një dekadë që ka nisur dhe mendoj se kam dhënë një kontribut për PD-në. Brenda angazhimit që kam pasur në PD dhe në sajë të karrierës, kam gatishmërinë për të qenë kryetare e PD-së për Tiranë”, - u shpreh Lajla Përnaska. Sipas saj, ka nevojë për një rifreskim të të gjithë PD-së së Tiranës. Përnaska deklaroi se PD-ja është partia e parë që ka sjellë një garë reale dhe me standarde dhe gara ka kohë që ka filluar. Deputetja e PD-së theksoi se ishin anëtarët e PD-së që e shtynë dhe e mbështetën për të garuar, pasi u bënë shumë vjet që ajo është pranë kësaj partie, duke dhënë kontributin e saj.
Edi Paloka deklaroi se jeta e tij është e lidhur me PD-në dhe është një nga njohësit e mirë jo vetëm të PD-së në përgjithësi, por edhe të Tiranës në veçanti, duke njohur të gjithë anëtarësinë e kryeqytetit. “Mendoj se mund të garoj dhe ta çoj PD-në e Tiranës drejt fitores”, - u shpreh ai. Dy nga pikat e platformës së Palokës janë ristrukturimi i PD-së së Tiranës dhe angazhimi i sa më shumë njerëzve brenda kësaj strukture. Paloka u shpreh i sigurt që do jetë në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme. Sipas deputetit të PD-së, kandidati Mustafaj, për shkak se ka qenë i angazhuar me diplomacinë, është i shkëputur nga strukturat e partisë. Ndërsa për kandidaturën e Gjergj Bojaxhiut, Paloka tha se “Gjergj Bojaxhi ka punuar mirë në administratën shtetërore, por për Gjergjin është herët për të kandiduar, sepse zgjedhjet parlamentare janë shumë afër dhe ai do të ishte një kandidat jo i suksesshëm për PD-në”.
19 Janar 2009