E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet i vrarë 32-vjeçari, dyshime për gjakmarrje



SHKODËR - Një person është gjetur i vrarë dje në rrethinat e Shkodrës, gjë që ka ngjallur dyshime për një krim të ndodhur për motive gjakmarrjeje ose për një vetëvrasje në kushtet e tronditjes së rëndë psikike. Policia e qytetit të Shkodrës është sinjalizuar pasditen e së shtunës nga banorë të zonës se kanë gjetur një trup të pajetë në fshatin Mnel. Pasi ka shkuar në vendngjarje, efektivat kanë këqyrur trupin e pajetë dhe kanë dalë në disa përfundime. Nga dokumentet që mbante në trup u mundësua identifikimi i tij. Personi quhet Paulin Përgjini dhe është i moshës 32 vjeç. Në trup kishte plagë plumbash, nga të cilat dyshohet se i është shkaktuar edhe vdekja. Policia ka përcaktuar dy pistat e mundshme të vdekjes së Përgjinit. E para është pista që 32-vjeçari të jetë vrarë për hasmëri nga persona ende të panjohur, kurse pista e dytë, që Përgjini të jetë vetëvrarë në kushte të thella psikologjike. Trupi i pajetë është dërguar në morgun e qytetit, ku pritet të bëhet autopsia e plotë dhe më pas familjarët ta tërheqin atë për t’i bërë formalitetet mortore. Vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Për këtë policia e Shkodrës po merr në pyetje banorë të zonës për të mësuar më shumë rreth Përgjinit.

Zhduket prej 72 orësh 19-vjeçarja, familjarët denoncojnë në polici

KURBIN – Një vajzë në moshën 19-vjeçare është denoncuar si e zhdukur në rajonin e policisë së Kurbinit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se 19-vjeçarja A. Paja, lindur dhe banuese në fshatin Gjormë të rrethit të Kurbinit, është denoncuar nga familjarët e saj, të cilët thanë se vajza e tyre mungon që prej tri ditësh. Fillimisht familja e së resë ka bërë përpjekje vetë për të gjetur vendndodhjen e vajzës, duke kërkuar tek të afërmit, fqinjët dhe miqtë e tyre. Por kur kanë humbur çdo shpresë, ata kanë kërkuar ndërhyrjen e policisë. Burimet policore shprehen se kanë nisur kërkimet për gjetjen e shtetases A. Paja, por deri mbrëmjen e së shtunës nuk ka pasur asnjë gjurmë. Kontaktet telefonike janë të pamundura, ndërkohë që po kryhen kërkime në të gjithë rajonin e Kurbinit. Vajza ka qenë e punësuar dhe kthehej pasdite në shtëpi, gjë që nuk ka ndodhur katër ditë më parë. Policia tha se po punohet në disa pista, pa përjashtuar edhe mundësinë e rrëmbimit. Sipas të dhënave zyrtare, fotografia e 19-vjeçares është shpërndarë në të gjitha komisariatet e policisë.

19 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›